News That Matters

“Në terr për terr”

26/12/2021      23:23

Ish-ushtari i UÇK-së, Miftar Kurti iu ka drejtuar kryeministrit Kurti me një letër.
“Terrin (kaosin energjetik) na e solli Qeveria jote, ti ke vetëm fjalë, por nuk din të punosh” tha ai ndër tjerash në letër.

Letra e plotë:

LETËR PËR KRYEMINISTRIN ALBIN KURTI

I pasinqerti kryeministër Kurti,
Më vjen keq nga vetja (dhe nga miqtë e mi) që po të drejtohem në këtë mënyrë. Janë deklaratat (gërvalljet) Tua që po më bëjnë ta humbi durimin në këto momente.
Pse?
Në lajmet e orës 17:00, në RTK, deklarove ndër të tjera se ‘shtetin e ke gjet më keq se sa ke menduar, se shtetin e ke gjet përtoke’.
Më vjen mirë që më fund e pranove se Kosova është shtet. E pranove, gjithashtu, se je edhe i frustruar.
Si i frustruar që je, Ti mund të deklarosh se shtetin e ke gjet më keq se ke menduar, por duhet ta pranosh edhe faktin se shteti ishte shumë më mirë sesa që është tani (i mbytyr në terr).
Kryeministër i frustruar dhe nihilist, kur u bëre kryeministër, terrin nuk e gjete në Qeveri, Presidencë e Kuvend. As në Kosovë. Në shtetin e Kosovës.
Terrin (kaosin energjetik) na e solli Qeveria jote.
Ti ke vetëm fjalë, fjalë boshe, por nuk din të punosh, të menaxhosh praktikisht. Në institucione publike (posaçërisht në Qeveri) je ende praktikant, ndaj nuk pres asgjë më mirë.
I vetmi ngushëllim, e vetmja shpresë dhe mbështetje të ka mbetur mohimi i çdo gjëje të mirë që ka ndodh në Kosovë për 20 vite.
Ti nuk ke kurajon ta pranosh se shtetin e gjete me institucione të konsoliduara, e gjete me Presidencë, Qeveri e Kuvend. E gjete me Ushtri (FSK) dhe Polici. E gjete me AKI. E gjete me buxhet të konsoliduar.
Dhe deklaron se e ‘gjete më keq se ke menduar’.
Kryeministër i frustruar, do të pajtohesha me Ty se ‘shtetin e gjete më keq se ke menduar’ sikur të deklaroje:
“-Shtetin e Kosovës e gjeta më keq, sepse aty nuk gjeta asnjërin nga prijësit e luftës çlirimtare, dhe asnjë nga themeluesit e shtetit;
-Shtetin e Kosovës e gjeta për keqardhje, sepse aty nuk i gjeta themeluesit dhe prijësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, themeluesit e Ushtrisë së Kosovës(FSK-së), të Policisë së Kosovës, të AKI-së, por edhe të shumë institucioneve të tjera publike kredibile;
– Nuk i gjeta, thuaj, se ata janë në burgje”.
Për këto Ti nuk ndjen keqardhje, sepse ke hise dhe kontribut pse çlirimtarët janë prapa grilave, kurse Goran Rakiqi në Qeveri. Etj.etj.

Kryeministër, sipas të dhënave të ekspertëve të publikuara kohë më parë, Kosova në 10-13 vitet e fundit ishte tjetër nga ajo që Ti deklarove.
Kosova, së paku nga viti 2010, nuk ishte e mbytur në terr (siç është sot).
Sipas ekspertëve, Kosova 2008-2019 ka pasur rritjen më të madhe ekonomike në rajon (sipas Bankës Botërore).
Kosovën në tetor 2013, Banka Botërore e kishte radhitur në 10 vendet top reformuese në botë sa i përket të bërit biznes.
Sipas Bankës Botërore (tetor 2018), “Kosova ka vazhduar të përmirësojë lehtësimin e të bërit biznes, duke iu afruar kufirit të praktikave më të mira globale në rregullimin e biznesit”.
Më 2018, sipas USAID, në Raportin e të Bërit Biznes “Kosova është ngritur me 20 vende të shquara në të 40-in në të gjithë botën për t’u bërë reformatori kryesor në Evropë këtë vit.”
Po sipas raportit të Bankës Botërore për vitin 2020 “Kosova është në mesin e 20 ekonomive më të mira më të përmirësuara në botë.”
Gjithashtu, sipas ueb faqes zyrtare të Bankës Botërore thuhet që “rritja ekonomike e Kosovës në dekadën e kaluar ka tejkaluar fqinjët e saj.”
Edhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Bashkimit Evropian, Kosova ka rrugët më të sigurta në rajon.
Ndërkaq, sips World Justice Project 2020 Kosova ka ecur në Sundim të Ligjit më shumë se çdo shtet në rajon.
Po ashtu ka të dhëna tashmë të publikuara se Kosova ka borxhin më të ulët publik në Evropë; se për vetëm 13 vite shtet ka arritur ta kompletojë strukturën institucionale brenda dhe jashtë vendit prej zyrtarit më të ulët e deri te Gjykata Kushtetuese; se Kosova vazhdon të ketë liri të shprehjes më shumë se çdo shtet në rajon; se për vetëm 22 vite çlirim dhe 13 vite shtetësi, ka arritur që nga shkrumbi e hiri i vitit 1999 ta zhdukë hendekun e standardit jetësor fshat-qytet.
Këto dhe të tjera të arritura (që Ti dhe grupi që të rrethon, i mohoni) mund t’i gjeni te një shkrim i publikuar kohë më parë nga Agron Hoti, ekspert i Bashkimit Evropian.
Si është Kosova sot, kryeministër?
E mbytur në terr.
Me çlirimtarët në burgje.
E mbytur në zhgënjim.
Prandaj, z. Kryeministër, që të mos e zgjasim më shumë, përvili mëngët e puno. Mos na terrorizo me gënjeshtrat Tua për gjoja 10 000 vende të reja të punës, mbi 10% të ngritjes ekonomike etj.
E fundit, Kryeministër, pranoje se Kosova është në terr.
Në terr për tmerr.
“Krejt dhe drejt” si në ferr.
P.s.
Kësaj radhe mjafton me kaq, sepse po më zihet fryma duke shkruar këtë shkrim me një frymë.
Dhe nga terri.

div.meta-author { display:none; }