
29.08.2021 12:26
Shërbimi Korrektues i Kosovës në bashkëpunim me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve ka njoftuar për masat e reja që do të merren për shkak të përhapjes së numrit të rasteve me koronavirus.
SHKK tha se të gjitha masat do të merren me qëllim të ruajtjes së shëndetit të të burgosurve dhe stafit.
Sipas njoftimit të SHKK këto janë masat e reja që hyjnë në fuqi nga data 31 gusht deri më 15 shtator:
Ndalimin e përkohshëm të gjitha vizitave familjare për të burgosurit në Institucionet Korrektuese;Ndalimin e të gjitha vikendeve në shtëpi për të dënuarit;Ndalimin e punës për të dënuarit jashtë Institucioneve Korrektuese;Ndalimin e vizitave në lokalet e veçanta;Aplikimin e sistemit virtual të komunikimit SKYPE për të burgosur për të zhvilluar kontaktet me familjet, sipas rutinës së përcaktuar nga Institucioni;Lejimin e numrit të shtuar të thirrjeve telefonike gjatë kësaj periudhe;Kufizimi i transferimeve të burgosurve (vetëm rastet e domosdoshme);Lejimin e kontaktit të të paraburgosurve me mbrojtësit e tyre për rastet që janë në zhvillim, me masat e parapara në urdhrin paraprak.Masat e ndërmarra me urdhrin operativ të datës 20.08.2021, të cilat nuk bien ndesh me këtë urdhër mbesin në fuqi.
“Përjashtim nga ky urdhër janë, Institucioni i Avokatit të Popullit dhe organizatat që bëjnë monitorimin e të drejtave të njeriut, me të cilat MD /SHKK ka marrëveshje mirëkuptimi”, thuhet në njoftimin e tyre.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka thënë se do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin publik rreth hapave që priten të ndërmerren në vazhdim.