
08/03/2022
Sot është ndarë jeta mësuesja nga Mitrovica Drita Gashi Llane.
Lajmin e kanë të ditur miq të Dritës.
Drita Gashi – Llane ka lënë gjurmë të thella e të mira në arsimin tonë.
Positimi i plotë:
Një lajm i trishtë. Është ndarë nga jeta motra e kushërira jonë e dashur, mësuesja e devotshme, Drita Rrahim Gashi – Llane. Lindi në Mitrovicë më 10 dhjetor 1943 në një familje bujare, atdhetare e arsimdashëse. Ishte fëmija i pestë prej gjithsej nëntë (tre djemve dhe gjashtë vajzave) të Rrahim dhe Rabë Gashit nga fshati Kotorr i kominës së Skënderajt. I ati i Dritës, Rrahim Gashi (1909-1963), ishte njëri ndër mësuesit e parë pas LDB-së në Drenicë. Shkollimin fillor deri në klasën e shtatë Drita e mbaroi në Kosovë, kurse, pas dëbimit me dhunë të familjes së saj, e ka vazhduar në Shqipëri. Tetëvjeçaren e plotë dhe provimin e lirimit i përfundoi në Fushë Krujë, shkollën dy vjeçare në Shkodër (1961-1963, kurse dy të tjera dhe provimin e maturës i ka përfunduar në shkollën e mesme pedagogjike “17 Nëntori” në Tiranë, duke u kualifikuar për mësuese të ciklit të ulët. Fill pas mbarimit të shkollës pedagogjike 2-vjeçare, më 1 shtator 1963, është emëruar mësuese në shkollën fillore në fshatin Nikël të rrethit të Krujës. Në atë shkollë punonte edhe babai i saj, Rrahim Gashi, një personalitet i shquar i arsimit tonë. Kështu, rrugën e babait të tyre, përveç vëllezërve, Lah, Ibrahim dhe Muharrem Gashi, e vazhduan edhe motrat: Dritë, Lirije dhe Hajrije Gashi. Drita, pas disa kohësh është transferuar në Fushë Krujë e prej andej, në vitin 1971, në Tiranë. Për përkushtimin dhe rezultatet në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri”.
Drita Gashi – Llane ka lënë gjurmë të thella e të mira në arsimin tonë. Ngushëllimet më të sinqerta për bashkëshortin, dy djemtë, vëllanë, motrat, nipat, mbesat, të afërmit dhe ish nxënësit e saj!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!
Dritë pastë shpirti i bardhë i Dritës!