News That Matters

Nata e dytë në Jarinjë kaloi e qetë dhe me numër të vogël të protestuesve

22/09/2021 09:01

Nata e dytë e protestës në Jarinjë ka kaluar e qetë dhe pa ndonjë incident.

Numri i protestuesve serbë gjatë natës është zvogëluar edhe për shkak të temperaturave të ulëta të cilat kanë qenë, megjithatë një numër i tyre ka qëndruar aty edhe mbrëmë, ashtu si një natë më herët, rreth një zjarri që kanë ndezur.

Mbrëmë, ndryshe nga nata e parë, protestuesit nuk kanë bërë thirrje dhe as nuk kanë kënduar këngë nacionaliste.

Në ndërkohë rrugët të cilat çojnë në Jarinjë, ashtu si edhe në pikëkalimin tjetër kufitar Bërnjak, vazhdojnë të jenë të bllokuara me një kolonë të gjatë të makinerive të rënda që janë vendosur nga protestuesit serbë.

Kjo është dita e tretë e protestës në Jarinjë dhe Bërnjak, ku janë vendosur edhe forca të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës mëngjesin e të hënës nisi zbatimin e reciprocitetit për targa me Serbinë duke vënë targa të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territor të Kosovës.

Kjo e tensionoi shumë situatën në veri të vendit ku qytetarët serbë në shenjë proteste bllokuan rrugët në pikëkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinjë.

div.meta-author { display:none; }