
18\05\2022 18:03
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka thënë se diskriminimi nuk ka vend në shkollat e Kosovës. Kjo pas vizitës që i ka bërë shkollës “Xhemajl Kada”, pasi nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nuk u përfshinë dje në festën e abetares.
E gjithë kjo vëmendje u erdhi këtyre nxënësve pas raportimit të Klan Kosovës. Nagavci ka thënë se pamjet, në të cilat u panë dje, ku fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian nuk u përfshinë janë të shqetësuese dhe të papranueshme.
“Si Ministri e Arsimit kemi ndërmarrë një varg politikash gjithëpërfshirëse. Ndër të tjera, kemi ndarë 500 bursa për nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian dhe sivjet për herë të parë do të përkrahim me bursa edhe studentët e këtyre komuniteteve, me synim ata të Fakultetit të Edukimit, në mënyrë që të krijojmë kuadro që do të punojnë në shkollat tona. Është e rëndësishme që këto politika të gjejnë zbatim në të gjitha nivelet dhe në këtë drejtim është po aq i rëndësishëm angazhimi i mësimdhënësve, prindërve, komunitetit dhe medieve e shoqërisë civile”.
“Për rastin e e djeshëm, MAShTI ka dërguar inspektorët, të cilët do të shqyrtojnë në detaje informatën, ndërsa nga vizita në shkollë u informova se bëhet fjalë për një klasë të mësimit intensiv, ku ka nxënës të moshave dhe klasave të ndryshme, të cilët janë riatdhesuar ose e kanë braktisur mësimin për arsye të ndryshme”, ka thënë Nagavci.