
22/06/2022. 19:03
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se tekstet shkollore për këtë vit do të dërgohen më herët se herëve të tjera nëpër shkolla.
“Tekste shkollore me kohë për fillim të vitit të ri shkollor 2022-2023 për të gjithë nxënësit. Nuk do të ketë më vonesa dhe papërgjegjësi në shpërndarje dhe pranim të teksteve shkollore”, ka shkruar Nagavci në facebook.
Ajo shtoi se këtë vit janë përkujdesur, që palët e përfshira në procesin e shpërndarjes dhe pranimit të teksteve shkollore, të jenë të informuar mirë për afatet kohore dhe përgjegjësitë e tyre.
“Neglizhenca e askujt nuk guxon të dëmtojë nxënësit tanë”, theksoi ajo.
“Komisioni për evidentimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore (KEShTSh) i themeluar nga MAShTI, do të mbikëqyrë zbatimin e përgjegjësive nga DKA-të dhe shkollat në proces të përzgjedhjes së teksteve shkollore nga aktivet profesionale, raportimin e numrit të saktë të kërkesave për tekste shkollore, pranimin e porosive dhe shpërndarjen e teksteve shkollore”.
Sipas Nagavcit, kalendari i aktiviteteve për shpërndajen e teksteve shkollore dhe përgjegjësitë institucionale të secilit, tashmë janë ndarë me të gjithë. Ajo tha se këto tekste do të dërgohen në fund të muajit korrik, e jo si më herët, në muajin shtator.
“Është hera e parë që një proces kaq i rëndësishëm po strukturohet opercionalisht si duhet. Tekstet shkollore nuk do të dërgohen më në shkollat tona në fillim të shtatorit gjatë procesit mësimor, por, shumë më herët në kohë, në fund të muajit korrik.