
Musa HOTI, një prej emigrantëve politikë shqiptarë më të njohur, në çerekun e fundit të shek. XX, në Evropën Perëndimore. Disidenti që e vrau një dhe plagosi dy pjesëtarë të stafit të Ambasadës Jugosllave në Bruksel, ne gusht te vitit 1981.
MUSA HOTI: “As sot e kësaj dite nuk e kam të qartë se si ia dola që me dy plumba ta vras një dhe t’i plagos tre serbët që më sulmuan”
Nga Haqif MULLIQI
Musa Hoti ishte një prej miqve të mi shumë të mirë. Sa herë që kam shkuar në Bruksel përgjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar Musa Hotin e kam takuar vazhdimisht. Me Musanë më ka njohur miku im Reshat Sahitaj, i cili ishte njëri prej miqve më të mirë dhe më besnik të M. Hotit. Para së gjithash besoj që për herë të parë jemi takuar në shtëpinë e Reshatit, ku, rëndom, kam qëndruar në Bruksel. Ndërsa në atë mbrëmje, aty, me Musanë ka ardhur edhe veprimtari tjetër i çështjes kombëtare, Qamil Zekolli. Ishte tetori i vitit 1991. Kemi biseduar për çështjet që kishin të bënin me Kosovën dhe popullin shqiptar dhe, e di se, që të dy kanë qenë mjaft të pakënaqur me përmbajtjen e Qeverisë Bukoshi, e cila që shpallur pas dy apo tre ditësh.
Ç’është e vërteta, unë, sikundër edhe shumica shqiptarëve të asaj kohe, kishim dëgjuar për Musanë i cili, mu në Bruksel e la namin, duke e vrarë një dhe plagosur dy njerëz të Ambasadës Jugosllave në kryeqytetin e Evropës. Ngjarja që u përhap me shpejtësi rrufeje kishte ndodhur më 4 gusht 1981, ndërsa ky akt, mikun tim shumë të mirë, Musa Hotin e shndërroi në legjendë të kohës së tij.
Ishte fundi i viteve të shtatëdhjeta. Tendosjet politike në Kosovë ishin shtuar vrullshëm, ashtu siç ishin shumëzuar edhe organizimet ilegale politike këtu. Kushtetuta e vitit 1974, edhe pse e kishte lehtësuar barrën e robërisë së shqiptarëve të Kosovës, megjithatë, në asnjë mënyrë nuk e kishte plotësuar as së afërmi aspiratën e tyre për t’u vetëqeverisur në truallin e tyre amnor. Fundja, po aq sa ishte “liberalizuar” jeta në Kosovën e autonomizuar, po aq, do të thosha, karshi organizatave ilegale që ishin konsoliduar dukshëm, këtu ishin shumëzuar edhe elementët e UDB-së, edhe ndër shqiptarët, të cilët me “syçeltësinë” e tyre mundoheshin ta fokusojnë e më pas ta paralizojnë çdo shqiptar i cili pandehej se mund të dilte nga klisheu i realitetit të instaluar kosovar nën kornizat politiko-policore.
Kështu, mu në të sosur të asaj dekade, në Mitrovicë edhe arsimtari Musa Hoti, i cili disa herësh në ambiente me më shumë njerëz kishte shfaqur pikëpamjet e tija politike e heton se UDB–ja dhe bashkëpunëtorët e saj tashmë kishin filluar ta thurin rrjetin e merimangës rreth tij, për çfarë, ky, një natë, gati beftë për të gjithë, vendos që të marrë botën në sy dhe ta mësyjë Brukselin, vendin ku atëbotë kishte më së shumti emigrantë politikë shqiptarë dhe ku Musai, vetëm pak vjet më vonë, do të përjetojë një ndodhi e cila e bëri të njohur, të thuash në gjithë botën shqiptare, nga një kënd në këndin tjetër të rruzullit. Se cila është kjo ngjarje, besoj se më së miri do ta mësojmë në këtë rrëfim ekskluziv të zotit Hoti, të cilin e shënuam këtyre ditëve në Prishtinë.
PAS MBARIMIT TË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE, ISHTE STREHUAR EDHE NJË PJESË E KONSIDERUESHME E EMIGRACIONIT TË VJETËR POLITIK
“Kam qenë punëtor i arsimit dymbëdhjetë vjet radhazi”, nis rrëfimin e tij zoti Hoti. “Prej tyre gjashtë vjet kam punuar në shkollat tetëvjeçare, ndërsa gjashtë të fundit në shkollën e mesme në Mitrovicë. Pas disa hetimeve që mora vesh kishte filluar t’i zhvilloj UDB-ja lidhur me disa aktivitete dhe paraqitje të mijat politike, e pashë të arsyeshme që të largohem nga Mitrovica, që të mos i përjetoja torturat që i kishin përjetuar shumë dashamirës si dhe im at, për tre herë radhazi pas Luftës së Dytë Botërore.
Kështu, vendosa që të dilja në Perëndim. U vendosa në Belgjikë ku, nga kohët, në cilësinë e të strehuarit politik po jetonte dhe vepronte im vëlla, Isai, kështu që e pandehja se do të ishte shumë më e lehtë për mua që të vendosem atje nëpërmes vëllait, dhe përmes shokëve të tij të atëhershëm. Ishte ky viti 1979.
Mirëpo, edhe pse larg Kosovës, megjithatë, gjithçka që ndodhte këtu asaj kohe me një shpejtësi marramendëse do të thosha përçohej edhe në diasporë, e veçanërisht në diasporën e Belgjikës ku ishte i grumbulluar një numër i madh i shqiptarëve të përndjekur politikisht dhe ku ishte qendra e aktiviteteve lidhur me ngjarjet në Kosovë. Asokohe nuk po përmendej fare as aktiviteti politik i shqiptarëve në Zvicër, as në Gjermani e as gjetkë nëpër Evropën Perëndimore e as në Shtetet e Bashkuara, por kyç i gjithë aktivitetit tonë atje ishte ai i mërgatës politike në Belgjikë”, thotë zoti Hoti më tej në rrëfimin e tij.
“Ishte kështu ngase dihet se në Belgjikë, që pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ishte strehuar edhe një pjesë e konsiderueshme e emigracionit të vjetër politik, kryesisht nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, ku kishte edhe zogistë, edhe ballistë etj.
Një ndër shtresimet e para në Belgjikë ishte padyshim pra ai i emigracionit të vjetër nga Shqipëria, kurse shtresimi i dytë ishte i përbërë nga të përndjekurit politikë nga Kosova, ndërsa shtresimi i tretë i këtij emigracioni krijohet viteve të nëntëdhjeta, me refugjatë nga Kosova dhe nga Shqipëria, kryesisht me refugjatë ekonomikë, do të thosha.
Siç e thashë më lartë, aso kohe, në saje të ngjarjeve që po ndodhnin në Kosovë, sidomos ato që lidheshin me Pranverën e Madhe të vitit 1981, reflektoheshin furishëm edhe në diasporën shqiptare të Belgjikës, ku kishin njerëz të formatit të vërtetë që dinin shumë mirë ta udhëhiqnin një aktivitet të mirëfilltë politikë që ndërlidhej me ngjarjet që zhvilloheshin në Kosovë si dhe me solidarizimin me popullin dhe ngjarjet atje. Fytyra më kyçe në kohën për të cilën po flas në Belgjikë ishte Enver Hadri, pastaj edhe Vehbi Ibrahimi, i cili u vra nëntë vjet para Hadrit nga ana e UDB-së jugosllave në Bruksel. Enveri një kohë të gjatë ishte kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, ndërsa Vehbiu ishte përgjegjës i Partisë Nacional-Demokratike për Beneluks, do të thotë një partie të djathtë ideologjikisht, për dallim nga ne shqiptarët e tjerë, shumica, asokohe aderonim nëpër partitë e vijës së majtë ideologjike që kishin lidhje të nduarduarta me Shqipërinë e atëhershme.
Enveri dhe Vehbiu kanë pasur aktivitete diferente ndërmjet veti, për shkak se Enveri nuk kishte mundësi të vepronte me bashkatdhetarët, por ai kryesisht i ka krijuar dhe zhvilluar kontaktet me diplomatët perëndimorë të cilët kishin angazhime në institucionet evropiane, siç është Parlamenti Evropian, Unioni Evropian apo edhe Komisioni Evropian, me ç‘rast me një mençuri të pashoqe ia dilte që ta afirmojë çështjen shqiptare në Evropë. Fundja, kjo kishte rëndësi të veçantë edhe nga fakti se Belgjika ishte dhe mbetet një prej qendrave politike, ekonomike dhe ushtarake më të rëndësishme në botë. Ndërsa Vehbi asokohe është marrë me aktivitete tjera, shumë praktike, për çfarë edhe u bë pengesë për UDB-në, kështu që për këtë arsye njerëzit e saj, në bashkëpunim me servilët e saj, e vranë në shtëpinë e tij në Bruksel, sikundër nëntë vjet më pas edhe Enverin në udhëkryqin e rrugëve Sen Ahil dhe Sen Bernard të kryeqytetit të Evropës, pra Brukselit”, rrëfen Musa Hoti, ish-emigranti më i njohur politik shqiptar.
ASGJË NUK NDODH RASTËSISHT
“Fill pas ngjarjeve të Pranverës së Kosovës të vitit 1981, jo vetëm unë, por edhe një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë u angazhuam që ta ringjallim emigracionin shqiptar në Belgjikë, veçanërisht atë emigracion që kishte prejardhje nga Kosova. Me këtë dëshironim që të bëjmë një organizim të mirë politik me shpresë se mund t’i jepnim një shtytje dhe një ndihmesë jo vetëm kërkesave të njohura të studentëve në Prishtinë por edhe ta afishojmë në opinionin perëndimor pozitën tejet drastike të shqiptarëve, ‘sezoni i gjuetisë’ mbi të cilët tashmë ishte shndërruar në platformë politike të UDB-së dhe poltronëve të Serbisë në Kosovë”, vazhdon tutje Musa Hoti.
“Ne, aso kohe, ishim aktivistë, por, fatkeqësisht, nuk kemi ditur që të kërkonim gjëra siç dalin sot në shesh, por, ja se, atëbotë e kërkonim një republikë shqiptare në kuadër të ish-Jugosllavisë. Ky është një realitet mjaft i hidhur për ne, ngase ne me vonesë i kuptuam gabimet dhe dobësitë tona”, thotë Musa Hoti, i cili tashmë gradualisht nis të futet në storien e tij.
“Ndërsa”, shton ai, “sa i përket rastit tim, unë mendoj se asgjë nuk ndodh rastësisht, ngase jam i bindur që rasti im ishte rast i elaboruar në projektet e sigurimit serb dhe atij jugosllav ku kishin arritur tek përfundimi se do të ishte mirë që pikërisht në Bruksel UDB-ja ta likuidonte ndonjërin prej aktivistëve shqiptarë, jo për ta dobësuar aq shumë lëvizjen, por për t’i frikësuar të tjerët që po vepronin si dhe ata që kishin dilema t’i bashkëngjiteshin aktivitetit politik atje apo jo. Kështu, ndodhi që pikërisht unë të jem njëri prej regjistrit të UDB-së, njeriu, vrasja e të cilit besonin ata se do t’i disiplinonin shqiptarët tjerë atje.
Kjo s’është dhe s’mund të ishte e rastit. E them këtë edhe nga shkaku se unë kam provuar t’i evitoj sulmet e shërbimit sekret jugosllav, por kam reaguar vetëm atëherë kur, siç i thonë fjalës, s’kisha më nga t’ia mbaj, por isha mbështetur për muri”, rrëfen zoti Hoti.
SI NDODHI PËRLESHJA ME UDB-ashët NË RESTORANTIN “WHITE HORSE”?
“”Rasti ndodhi asaj nate, kur një bashkatdhetar yni nga Peja, i cili kishte ardhur atyre ditëve në Bruksel. Ai e kishte të shoqen shtatzënë. Ai më thirri pas punës dhe unë pranova që të shkoja dhe ta ndihmoja për t’u vendosur në apartamentin që e kishte siguruar atyre ditëve. Mirëpo, derisa po shkoja tek miku im, përnjëherë jam shtangur kur e kam vënë re se shtatë persona, të gjithë korpulent, më ishin vënë pas. Ata, sapo m’u afruan, nisën të më kërcënojnë në gjuhën serbe. Thënë të drejtën unë në fillim nuk e kuptova qëllimin e tyre definitiv, ngase, sikur ta dija se çfarë po mëtonin ata asaj nate dhe se ishin me të vërtetë njerëz të UDB-së, padyshim se do të veproja që në llafet e para, mirëpo mendova se mund të më kishte identifikuar ndonjëri prej atyre se isha shqiptar dhe tashti, ashtu, kot, po më provokonin, ngase ishin aq të numërt dhe kishin marrë zemër, ashtu siç e kanë adet të gjithë serbët…
Duke qenë i prirë nga thënia e moçme se dy qenë të këqij e hanë edhe një ujk, atëherë unë vendosa që të mos konfrontohesha me serbët, edhe pse, siç mund të nënkuptohet, isha i armatosur. Madje, nuk e fsheh se bukur shumë u gëzova kur e vura re se në restorantin “White horse” ishin duke pirë edhe biseduar pesë bashkatdhetarë tanët, të cilët i njihja dhe që i njoh edhe sot, por të cilëve nuk do t’ua përmend emrat as kësaj radhe.
Pra, unë u futa në restorantin i cili prej asaj nate do të bëhet shumë i njohur për gjithë shqiptarët e Belgjikës e në veçanti për serbët e atjeshëm si dhe ata të Beogradit. Pasi hyra në restorant, u ula pranë shqiptarëve që i gjeta aty, ndërsa ata kur u futën në atë restorant pas meje dhe vazhduan që të më fyenin vetëm mua direkt, pavarësisht nga fakti se ishin edhe pesë bashkatdhetarë tanët aty me mua, e që do të thotë se ata kishin një paramendim krejtësisht transparent dhe qëllim ekzakt – të më likuidonin asaj nate.
Mirëpo, edhe pse edhe ata, pesë bashkatdhetarët, e kuptuan se çështja ishte tepër serioze dhe se serbët kishin për qëllim të më vrisnin, që të pestit, në varg, u ngritën një nga një dhe dolën nga restoranti duke më lënë të vetmuar. Dikush u ngrit ‘për të blerë duhan’, dikush ‘për të shkuar në WC’ dhe kështu me radhë. Kështu mbeta i vetmuar në tavolinë dhe fill pas kësaj ngjau ajo që ngjau”, rrëfen zoti Hoti.
UNË ATËBOTË SHPRESOJA SE QEVERIA E TIRANËS MUND TË MË PRANONTE PËR STREHIM NË SHQIPËRI
“Kur e panë udbashët se mbeta i vetmuar, ata nisën t’i nxjerrin armët që të më vrisnin. Ata ishin katër rreth tavolinës, ndërsa tre kishin ngelur jashtë. Ndërsa unë isha i ulur fare pranë dritares kështu që plumbat mund të më godisnin nga dy drejtime – nga jashtë dhe nga brenda në të njëjtën kohë”, rrëfen Musa Hoti i cili në saje të fatit dhe guximit të madh që kishte asaj nate ia doli që ta përballojë një situatë të papërballueshme.
“Ata i futën duart të parët që t’i nxjerrin armët dhe të më vrasin. Mirëpo unë, nuk e di as vetë se me ç‘shtytje, ia dola që me një shpejtësi të rrufeshme ta nxjerr revolen time dhe shtiva i pari në atë çast të mbrojtjes legjitime. Njëri prej sulmuesve u vra në vend, ndërsa tre të tjerët i plagosa”, rrëfen zoti Hoti, i cili, siç do të dalë më pas edhe në ekspertizën që do ta kryejë policia kriminale belge mbi serbët që po bëheshin gati ta vrisnin këtë veprimtar politik shqiptar, shtinë vetëm me dy plumba dhe siç e tha, një, më kryesorin e tyre, e vret ndërsa tre të tjerët i plagos.
“Thënë të drejtën, as sot e kësaj dite nuk e kam gjithaq të qartë se si ia dola që në mënyre ekzakte me dy plumba ta vras një dhe t’i plagos tre persona të tjerë – tentuesvrasësit e mi”, thotë zoti Hoti, i cili tregon se tre serbët tjerë që gjendeshin jashtë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim të vetmin, ngase e tëra në restorantin “White horse” kishte ndodhur me një shpejtësi të pashpjegueshme “dhe kur kam dalë nga restoranti”, rrëfen zoti Hoti, “nuk kam dalë vetëm unë, por me mua kanë dalë edhe një numër i madh i mysafirëve të restorantit që ishin gjetur rastësisht aty asaj nate dhe në atë çast. Siç u konstatua më pas, në atë lokal kishin qenë 22 veta. Mirëpo, nuk dua ta fsheh se kur dola unë nga restoranti kisha dalë me një qëllim – që të mbaroja punë edhe me ata tre të tjerët që po prisnin jashtë, mirëpo kur dola ata nuk i pashë. Pastaj u ktheva edhe njëherë brenda që të shoh se mos kishte mbetur gjallë ndonjëri prej serbëve të plagosur, mirëpo atëherë u takova me dy a tre prej atyre bashkatdhetarëve që kishin shkuar në ‘WC’ apo ‘për të blerë duhan’ dhe ata më bindën se që të katërtit kishin mbetur të vrarë kështu që do të bëja mirë sikur të largohesha nga vendi i ngjarjes.
Nuk e di pse u besova, por atëherë mora udhë dhe nga ai vend u largova me hapa të ngadalshëm dhe të qetë, ndërsa, më pas, në një rrugicë tjetër u ula në taxi dhe u largova nga vendi i ngjarjes”, thotë zoti Hoti, i cili po ashtu tregon se fillimisht as që i kishte shkuar mendja të dorëzohet, ngase, siç thotë, nuk e kishte parë të arsyeshme që “për një shka të keq të shkoj në burg dhe të përgjigjem para organeve të drejtësisë, për aq më shumë kur dihej mirëfilli se ata më kishin sulmuar mua dhe kishin planin të më vrisnin mua asaj nate…
Thënë të drejtën unë atëbotë shpresoja se qeveria e atëhershme e Tiranës mund të më pranonte për strehim atje në Shqipëri, kuptohet në ilegalitet dhe konspiracion të thellë. Kështu, fill pas rastit, e kam dërguar një shok në Ambasadën e Shqipërisë në Paris që të kërkonte një ndihmesë për mua nga ata dhe të më siguronte një lloj strehimi të përkohshëm atje.
Tashti çështja ndërlidhet edhe me emrin e dëshmorit Vehbi Ibrahimi. Ngjarja në fjalë ka ndodhur më 4 gusht të vitit 1981. Dhe përgjigjen nga Ambasada e Shqipërisë në Paris e kam pritur deri më 12 gusht të po atij viti. Gjatë kësaj kohe isha i strehuar nëpër vende të ndryshme, ndër njerëz të besueshëm, emrat e të cilëve as atëherë e as sot nuk ia kam treguar policisë belge. Do të thotë, në ditën e nëntë, kur me pabesinë që më bëri një bashkatdhetar yni nga shteti amë, do të thotë nga Shqipëria, bie në duart e policisë së Belgjikës, po asaj nate tek Vehbi Ibrahimi kishte mbërritur pëlqimi nga Ambasada e Shqipërisë se unë mund të pranohesha në Shqipëri, me ç‘rast ajo ambasadë do të ma përgatiste një pasaportë me të cilin do të arrija deri në jug të Francës, do të thotë në Marsej, prej nga me ndonjë nga anijet shqiptare do të kaloja në Durrës, në Shqipëri. Fatkeqësisht, unë u preva në besë nga ai shqiptari i Shqipërisë, kështu që Vehbiut nuk iu dha rasti që të ma dorëzonte atë letër, e cila, kur vritet Vehbiu nga UDB-ja, fatkeqësisht bie në duart e policisë belge”, rrëfen tutje zoti Musa Hoti, i cili tregon se hetimet lidhur me rastin kanë vazhduar afërsisht tetëmbëdhjetë muaj sa ka qëndruar ky në burg dhe më pas policia belge ndaj tij aplikon një lloj izolimi në bregdetin e atij vendi, do të thotë një lloj izolimi të pa gjyq si masë të cilën e “vuajti” zoti Hoti katër muaj pas paraburgimit.
“Ata arsyetoheshin me këtë veprim se mund të më vriste UDB-ja jugosllave, kështu që kjo masë u quajt si masë për sigurimin e jetës sime dhe të familjes sime”, thotë zotëria, rasti i të cilit me shpejtësi të erës u bë një fabul e njohur për këngët e rapsodëve shqiptarë në Kosovë dhe më gjerë, ngase trimëria dhe shkathtësia e tij mori dhënë.
KUSH ISHIN SERBËT QË DESHËN TA VRASIN MUSA HOTI?
Ndërsa, pasi që kthehet nga “izolimi”, UDB-ja jugosllave bënë edhe disa tentativa për ta likuiduar zotin Hoti, madje, duke mos ia kursyer as familjen me këtë rast. “Ata kanë ndërmarrë tri aksione konkrete që të më likuidonin, por falë syçeltësisë sime dhe të rrethit tim të ngushtë, falë edhe disa bashkatdhetarëve që më ishin pranë, por edhe falë fatit të madh, megjithatë UDB-ja nuk ia doli që t’i kurorëzojë rastet.
Rasti i parë ishte kur po zbrisja me familje me ashensor nga kati i katërt i apartamentit ku po jetoja. Meqë u vonuam pak derisa erdhi ashensori dhe derisa u nisëm me të poshtë, e dëgjuam një eksplodim të madh për të cilin fillimisht nuk po e dinim se për çfarë ishte fjala. Mirëpo, kur kemi dalë në parkingun e makinave, pas disa minutash e kam kuptuar edhe unë e edhe familja ime se fjala ishte se ishte hedhur në ajër makina jonë, në të cilën, sigurisht pas një apo dy minutash do të gjendeshim të ulur unë, zonja ime dhe dy vajzat tona të vogla. Makina jonë ishte shpërndarë diku në 60 metra përreth.
Herët tjera ndodhën në kohën kur kam jetuar nëpër disa fshatra në rrethin e Brukselit, për shkak se sipas insistimit të policisë belge, në çdo gjashtë muaj isha i detyruar që ta ndërroja vendbanimin dhe adresën që të mos bëhesha pre e hakmarrjes së pamëshirme të UDB-së që ishte tejet e interesuar të më vriste.
Kështu, herën e dytë serbët kanë provuar të më vrisnin në fshatin Sent Piters Lër, i cili gjendet në periferi të Brukselit. Edhe kjo herë ishte e ngjashme me të parën dhe të tretën, pra që të hidhesha në ajër me gjithë makinë, por fati e deshi që të mos ndodhte ashtu…
Me kohë edhe unë u detyrova që të ndërmerrja disa masa preventive që të mos bija pre e sigurimit serb. Kështu, një prej masave që kisha ndërmarrë ishte që, për gjithë atë kohë, unë asnjëherë nuk kisha dalë nëpër kafenetë belge, po ashtu, asnjëherë nuk kisha shkuar as nëpër klubet e atëhershme shqiptare, asnjëherë nuk më ka zënë nata në qytet, dhe asnjëherë nuk kam dalë nëpër takime të ndryshme me bashkatdhetarët tanë derisa nuk i kemi njohur mirë dhe nuk e kemi kuptuar qëllimin e takimit, por gjithnjë duke pasur parasysh edhe faktin se edhe në ato mjedise ne e bënim një lloj sigurimi të veçantë”, thotë zoti Hoti.
STORIA E DYTË ME AMBASADËN SHQIPTARE NË PARIS
“Pas lirimit kam telefonuar disa herë dhe kam insistuar që të takohesha me ndonjërin prej përgjegjësve të atëhershëm të Ambasadës shqiptare në Paris. Kështu, kur këtë kërkesë ma përfillën një ditë, unë, që të nesërmen, sipas marrëveshjes, me një mik timin kam marrë udhë nga Brukseli për në kryeqytetin e Francës. Kur kam mbërritur në Paris unë e kam bërë edhe një telefonatë me ç‘rast në atë bisedë me njerëzit e ambasadës, sërish, është akëceptuar takimi me mua. Mirëpo, diku nga ora dhjetë, kur kemi mbërritur para derës së ambasadës, kemi trokitur në derë, ndërsa nëpunësi që na e hapi derën, kur e dëgjoi emrin tim tha shkurt e qartë: ‘Ju lutemi largohuni më shpejtë që këtej se mund t’u vras UDB-ja nga dritaret e ndërtesës përballë dhe kështu edhe qeveria jonë do të implikohet në këto vrasjet tuaja!’ Mesazhi ishte tepër i qartë. Ata me fjalë të tjera nuk ma ‘hapën’ derën, dhe, nuk dua ta fsheh, se unë me këtë rast ngela edhe i shtanguar e edhe i befasuar ngase, drejt, nuk po e prisja një veprim të këtillë të njerëzve nga Ambasada e Shqipërisë në Paris”, kujton zoti Musa Hoti.
ATAKIMI SERIOZ I UDB-së MBI MUSA HOTIN
Ndërsa, ai tutje rrëfen se, atakimi i fundit (serioz) i UDB-së me qëllim që ta likuidoj kishte ndodhur në vitin 1987 kur ish-policia federative e Jugosllavisë së zhbërë kishte bërë një kërkesë nga INTERPOL-i që të bastiseshin një numër familjesh shqiptare me pretekst se kinse ishte fjala për terroristë të pandehur që po përgatisnin veprime kundër Jugosllavisë dhe përfaqësive të saja turistike dhe ekonomike nëpër Evropë. Ishte kjo dita e 27 nëntorit të vitit 1987 kur në orën 16 policët e ndryshëm të shteteve të ndryshme evropiane i kontrolluan 44 familje shqiptare nëpër shtete të ndryshme evropiane. Ishin këto familje që kishin shfaqur bindje të caktuara politike dhe ishin shquar me veprimtari politike dhe atdhetare. Ndër këto familje ishte edhe ajo e zotit Musa Hoti.
“Në Belgjikë bastisjen e shtëpisë sime”, thotë zoti Hoti, “e justifikuan me atë se, siç thanë, ata kishin marrë teleks nga INTERPOLI jugosllav se kryefamiljarët e këtyre familjeve po përgatiteshin për sulme mbi qendrat dhe objektet diplomatike jugosllave nëpër tërë Evropën… Në mesin e tyre, me aq sa jam unë i informuar, ishin edhe z. Xhafer Shatri në Gjenevë, Sabri Novosella në Malmo të Suedisë, Reshat Sahitaj në Bruksel etj.
Mirëpo, tek asnjëri nga të kontrolluarit, kudo nëpër Evropë, policët nuk gjetën asnjë armë e aq më pak eksploziv, siç kishin pandehur se mund ta gjenin…”
KTHIMI NË KOSOVË
“Në qershor të vitit të kaluar (2000) kam ardhur për herë të parë në Kosovë pas njëzet vjetësh e tre muajve. Kjo për mua ishte një rilindje e dytë, ngase isha shpresëthyer se mund ta shihja Kosovën e lirë dhe në te prindërit e mi, shokët, miqtë e dashamirët… Ky ishte një përjetim që s’do ta harroj kurrë në jetën time, gjë që u sendërtua me një trimëri dhe heroizëm të paparë të djemve dhe vashave më të mira të Kosovës, atyre që u lidhën bashkë rreth idesë UÇK dhe të cilët mbi të gjitha e deshën Kosovën dhe Lirinë e saj. Pra, ata që e derdhën gjakun e djersën për ne dhe për ata që do të vijnë pas nesh, në luftën çlirimtare të Kosovë, duke na e mundësuar kështu edhe neve, mërgimtarëve të vjetër që të kthehemi në Kosovë”.
KRIJIMI I UÇK-së
“Krijimin e UÇK-së e kam përjetuar si një rilindje të popullit tonë, i cili edhe kësaj here e dëshmoi se është një feniks i vërtetë, i cili di të krijohet edhe nga hiri i vetë, do të thotë edhe atëherë kur të tjerët sa nuk besojnë se po zhbëhet i tëri.
Personalisht isha përkrahës i flaktë i idesë dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ngase e dija se vetëm ata njerëz dhe vetëm ajo luftë, mbase, mund ta krijojë mundësinë dhe të na hapte shteg që të ktheheshin një ditë në këtë tokë dhe këtë vend të shenjtë dhe të shtrenjtë për shqiptarët. Por, meqë e kisha një hipotekë nga sigurimi shtetëror i Belgjikës si dhe, s’do mend, nga ai i ish-Jugosllavisë, më është dashur që të gjitha proceset rreth zhvillimeve të UÇK-së t’i vështroja nga një distancë e konsiderueshme që të mos vinte deri tek ato evenimente që dikush, ta shfrytëzojë episodin tim të mëhershëm dhe të sprovojë të ‘komprometojë’ idenë dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Falë luftës së UÇK-së dhe djemve e vajzave që e shtynë historinë e Kosovës përpara në një rrugëtim të vështirë, por të shndritshëm, tash e një vjet nuk mendoj se gjendem mërgim, ngase, tashmë janë krijuar kushtet që të vijmë në Kosovë dhe që ne, të gjithë mërgimtarët që mbase dikur kishim arsye të largoheshim nga vendi ynë, të kthehemi këtu njëherë e përgjithmonë. Tash më nuk kemi ndonjë arsye të qëndrojmë jashtë, veçanërisht një numër bukur i madh i bashkatdhetarëve tanë. Të këtillë ka mjaft në diasporë, kudo, që nga Australia deri në ShBA.
UDB-ja me të dërguarit e Beogradit dhe spiunët e saj e ndoq këmba këmbës, mikun tim të mirë e të dashur, Musa Hotin, derisa më 16 janar 2004 e vranë në Bruksel, duke e përjetësuar si një hero të kauzës kombëtare. Musa Hoti u varros me nderime të posaçme dhe ceremoni shtetërore në varrezat e dëshmorëve të Prishtinës.
Foto: Miqtë e mi të çmuar– Musa Hoti dhe Reshat Sahitaj
P.s. Regjistrimet e disa prej bisedave që kam zhvilluar me Musa Hotn ekzistojnë dhe gjenden në arkivin tim personal


