
27/10/2021 15:33
Regjisorja Burbuqe Berisha ka ndërruar jetë këtë të mërkurë në objektin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Nëpërmjet një njoftimi për media nga MKRS-ja thuhet se regjisorja ndërroi jetë papritmas dhe se janë thellësisht të prekur nga kjo ngjarje, njofton Klankosova.tv.
“Me pikëllim ju njoftojmë se sot në mesditë në Ministrinë e Kulturës papritmas ka ndërruar jetë regjisorja e filmit dhe teatrit Burbuqe Berisha. Jemi thellësisht të prekur nga kjo ngjarje dhe u shprehim ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik”.
Tutje thuhet se Berisha ka lënë pas vete një krijimtari shumë të begatë.
“Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar. Berisha në vitin 2019 mori çmimin kombëtar për kinematografi”.
“Ajo ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, si producente në Kosova Film, po ashtu ishte drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”. Së fundi ishte pjesë e përgatitjes së regjisë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës”.