
20/10/2021 10:41
Policia në Mitrovicë ka arrestuar një person i cili është prezantuar si person zyrtar dhe ka ndalur një automjet në të cilin ishin një burrë dhe një grua, derisa dyshohet se e ka ngacmuar seksualisht këtë të fundit, raporton Express
Rasti ka ndodhur në orët e para të së martës në Mitrovicë, ka bërë të ditur policia në raportin 24 orësh.
Rasti është iniciuar si “Ngacmim seksual/Prezantim i rremë”.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe është ndaluar për gjashtë orë, derisa të këndellet.
Pas kësaj, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
“Mitrovicë, 19.10.2021-01:03 . Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti, duke ju prezantuar si ,, person zyrtar ‘’, ka ndaluar një automjet në të cilin ishin dy viktimat një mashkull dhe një femër kosovarë, këtë të fundit dyshohet se e ka ngacmuar seksualisht. Me vendim të prokurorit rasti cilësohet si më lartë dhe i dyshuari mbetet në ndalim për gjashtë orë deri në këndellje pasi që i njëjti ishte nën ndikim të alkoolit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, ka bërë të ditur policia.