News That Matters

MINT siguron për rezervat shtetërore, nuk përgjigjet për shkarkimin e Lipovicës

13\05\2022 14:53

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur se rezervat shtetërore janë të siguruara sipas planifikimit të projektuar.

Ky reagim i këtij dikasteri qeveriar vjen pas raportimit të “Gazeta Insajderi” se janë zhdukur rreth 10 milionë euro që ishin të destinuara për rezervat shtetërore, njofton Klankosova.tv.

“Ju njoftojmë se lidhur me artikullin e publikuar në portalin Insajderi, me titullin “Skandali i madh i ministres Rozeta Hajdari; Zhduken rreth 10 milion euro te destinuara për rezervat shtetërore”, njoftojmë opinionin publik se përmbajtja e këtij artikulli është e pavërtetë. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njofton opinionin e gjerë se rezervat shtetërore janë siguruar sipas planifikimit të projektuar”.

Në njoftimin e tyre thuhet se raportime të tilla janë të pavërteta dhe se për këtë do t’i ndjekin rrugët ligjore.

“Me planifikim nga MINT dhe financim nga buxheti kombëtar, janë siguruar furnizime me produktet esenciale të rezervës shtetërore në sasi të konsiderueshme gjatë vitit 2022. Rezerva e shtuar gjatë fillim vitit 2022, veçse ka arritur në Kosove dhe është vendosur në lokacionet e aranzhuara për rezervën shtetërore. Raportime të pavërteta si kjo janë të dëmshme për sigurinë publike, andaj Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të ndjekë rrugët ligjore”, thuhet në njoftimin e tyre.

Raportimit të “Gazetës Insajderi” i parapriu shkarkimi nga detyra i sekretarit të MINT, Irfan Lipovica, nga ministrja Rozeta Hajdari.

Edhe pas insistimit të tyre ministria nuk ka treguar arsyen e vërtetë të shkarkimit të Lipovicës, por Gazeta Insajderi sipas burimeve të veta mori vesh se prapa kësaj qëndron një skandal i madh. Sipas tyre dyshohet se zyrtarët e MINT-it kanë blerë grurin për rezervat shtetërore, e kanë paguar mallin që do të duhej të arrinte në Kosovës sipas marrëveshjes, por se një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Malli dhe paratë janë zhdukur.

Sipas burimeve të Gazetës Insajderi, kompania me të cilën kanë bërë marrëveshje nuk është bërë e “gjallë” pasi i janë kaluar paratë në llogari. Dhe se askush më nuk është përgjigjur lidhur me këtë çështje.

div.meta-author { display:none; }