
14/07/2022. 18:09
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç do të lejohen të vaksinohen kundër COVID-19.
“Pas sigurimit, ditë më parë, të dozave pediatrike të vaksinës kundër COVID-19, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes mekanizmit COVAX dhe sigurimit të materialeve përcjellëse për vaksinim, fëmijët e moshës 5-11 vjeç, nën përkujdesjen e prindit ose kujdestarit ligjor, mund të vaksinohen që tani kundër COVID-19 në njësitë e vaksinimit në komunat e Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ministria po ashtu rikujtoi se grupmoshat e moshës mbi 60 vjeç mund të vaksinohen me dozën e katërt, me kusht që të kenë kaluar së paku 4 muaj nga marrja e dozës së tretë, dhe se ata mbi 12 vjeç mund të vaksinohen me dozën e parë, të dytë dhe të tretë.
“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19 për të parandaluar sëmundjen, format e rënda të saj dhe vdekjet nga COVID-19”, thuhet në fund të njoftimit.