
10/12/2021 12:12
Sot është nënshkruar dy marrëveshje mes Ministrisë së Financace, Bankës Evropiane për Investime (BEI) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).
Në njoftimin e MF-së thuhet se marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, së bashku me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Investime (BEI) Matteo Rivellini dhe Cagin Pabucco, si dhe me përfaqësuesin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) Matteo Colangeli.
Marrëveshjet financiare janë për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Komunën e Mitrovicës, në vlerë prej 19.8 milionë euro dhe 13.5 milionë euro.
Projekti që bashkëfinancohet nga këto dy institucione parasheh ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza dhe rehabilitimin e rrjetit ekzistues. Rreth 213,000 qytetarë të Komunës së Mitrovicës pritet të përfitojnë nga ky projekt, përmes përmirësimit të kushteve mjedisore dhe shëndetit publik. Zhvillimi i këtij projekti infrastrukturor do të zvogëlojë ndotjen e mjedisit, veçanërisht në lumin Ibër. Projekti mbështetet edhe nga Bashkimi Evropian, me një grant prej 5 milionë eurosh përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor.