
20/01/2022 10:57
Komitetit për koordinim dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19 ka mbajtur sot mbledhje. Pas kësaj mbledhjeje, ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi ka thënë se masat do të rishikohen dhe se ende janë duke u diskutuar.
Ai ka deklaruar se do të ketë ndryshim të masave, konform situatës epidemiologjike.
“Natyrisht se do të ketë ndryshim të masave. Këto masa do të jenë në proporcion me zhvillimet dhe përhapjen e rasteve, COVID-it. Do të jenë në proporcion me nevojat për zhvillimin e fëmijëve në shkolla, me mbajtjen e shkollave hapur, me mbajtjen e ekonomisë hapur”, deklaroi Latifi.
Latifi tha se me masat e reja, lokalet e gastronomisë mund të mbyllen në orën 22:00.
“Është shumë e mundshme që lokalet duhet të mbyllen në orën 22:00, por këtë do ta vendosim bashkërisht të gjithë. Do ta dorëzojmë në Qeveri sot pasdite, ose nesër në mëngjes”, ka deklaruar Latifi.
Rishqyrtimi i masave anti-COVID vjen pas rritjes së madhe të rasteve me koronavirus.
Vetëm dje në Kosovë janë regjistruar 2050 raste me koronavirus. Aktualisht në Kosovë janë 7 mijë e 228 raste aktive me koronavirus.