News That Matters

Milanoviq mbështet anëtarësimin e Ukrainës në BE, propozon statusin e kandidatit edhe për Kosovën

01\03\2022 21:10

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka thënë se Ukrainës duhet t’i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Milanoviq ka mbështetur nismën e presidentëve të disa shteteve anëtare të BE-së, për kandidaturën e Ukrainës për anëtarësim.

Tutje, Milanoviq tha se është në interesin strategjik dhe kombëtar të Kroacisë që vendet e Evropës Juglindore, përfshirë Kosovën, që sipas tij, kanë deklaruar dhe dëshmuar synimin dhe gatishmërinë e tyre për t’u anëtarësuar në BE, të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.

“Presidenti Milanoviq ka propozuar që të kërkohet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE si për Bosnje-Hercegovinën ashtu edhe për Republikën e Kosovës dhe që BE-ja pas premtimeve të përsëritura të fillojë menjëherë negociatat për anëtarësim me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë, të cilat tashmë kanë statusin e kandidatit”, thuhet në reagimin e presidencës kroate, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, i pari i shtetit kroat tha se negociatat me Malin e Zi duhet të përshpejtohen, ndërsa sa i përket Serbisë, Milanoviq tha se ajo duhet të vendosë nëse e dëshiron anëtarësimin në BE.

div.meta-author { display:none; }