
25/02/2022 13:44
Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, të cilin ajo e quajti një pikë kthese në histori.
Këtë ajo e ka deklaruar për agjencinë gjermane të lajmeve dpa.
“Kjo luftë agresioni nga Rusia shënon një pikë kthese të thellë në historinë e Evropës pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. […] Unë e dënoj atë në termat më të ashpër të mundshëm,” tha Merkel.
Sipas saj, “nuk ka asnjë justifikim për këtë shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar”.
Merkel shprehu solidaritetin e saj me popullin ukrainas dhe qeverinë e udhëhequr nga Presidenti Volodymyr Zelensky “në këto orë dhe ditë të frikshme”.
Ish-kancelarja shprehu gjithashtu “mbështetjen e saj të plotë” për përpjekjet e qeverisë gjermane, BE-së, NATO-s, OKB-së dhe G7-së në një përpjekje për t’i dhënë fund luftës.
Merkel e bëri të qartë se sulmi i ri i Rusisë ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të një shteti të pavarur këtë herë prek të gjithë Ukrainën.