News That Matters

Me 4 Shtator bëhen një vit nga Marrëveshja e Washingtonit për normalizim ekonomik

03.09.2021. 09:02

Me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 4 shtator të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dokumentin për normalizim ekonomik, e njohur si Marrëveshja e Washingtonit.

Deri më tani, nga kjo Marrëveshje janë zbatuar vetëm disa nga pikat, ndërsa përfaqësues të komunitetit të biznesit kërkojnë që politika t’i përmbush zotimet e mbetura.

Marrëveshja që përmban 16 pika është nënshkruar në Shtëpi të Bardhë në prani të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Menjëherë pas nënshkrimit të këtij dokumenti, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kishte thënë se kjo Marrëveshje është një hap drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes dy vendeve.

“Ky është një lajm i jashtëzakonshëm për Kosovën. Sot, në Shtëpinë e Bardhë, nënshkruam një marrëveshje që është hap i madh drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Synimi ynë është arritja e njohjes reciproke dhe marrëveshja e sotme me karakter ekonomik, është një hap shumë i rëndësishëm drejt arritjes së njohjes reciproke”, ishte shprehur Hoti.

Deklarata e përbashkët ekonomike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti lidhur me këtë Marrëveshje, ka thënë se nuk do ta “injorojë” në tërësi, por se sipas tij, disa pika të saj janë problematike.

“Unë nuk kam thënë se ajo që është nënshkruar në Washington, unë thjesht do ta hedh – jo asnjëherë. Pika e fundit, e cila ishte njohja e Izraelit për Kosovën është zbatuar dhe kjo është pjesa më e vlefshme e Marrëveshjes”, ka thënë Kurti.

“Ne nuk duam ta mohojmë atë në parim, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të kujdesshëm, sepse ka edhe disa pika që janë problematike për Kushtetutën tonë që janë nënshkruar si një zotim nga kryeministri i mëparshëm. Vetëm të përmendim faktin që ne nuk do të lobojmë dhe angazhohemi për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Kjo shkon në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka shtuar ai.

div.meta-author { display:none; }