News That Matters

Masat kundër COVID-19 nuk pritet të ndryshojnë

16/04/2022. 14:40

Prej kohësh, situata epidemiologjike me COVID-19 në vend është e qetë ndërsa edhe numri i pacientëve të infektuar që kërkojnë shërbime shëndetësore ka rënë ndjeshëm.

Vendet evropiane kanë lehtësuar ndjeshëm masat, derisa e fundit ishte Greqia që paralajmëroi se prej 1 majit do t’i kthehet pothuajse normalitetit.

Por, në një tjetër vend situata është ndryshe. Banorët e Shangait po hyjnë në javën e tretë të mbylljes si pjesë e masave të rrepta kufizuese pas përhapjes së variantit Omicron.

Gjithsesi, në Kosovë ende janë në fuqi masat që janë marrë më 1 mars dhe ato nuk pritet të lehtësohen më tej.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë që momentalisht nuk do të ketë ndonjë ndryshim të masave, por që situata është duke u ndjekur me vëmendje.

“Tash për tash (masat) kanë me mbet kështu siç janë. Siç po shihet vendet e ndryshme janë në telashe me COVID-in, shembull sa mësova para dy ditëve se Filadelfia i ka vendosur maskat brenda në çdo vend, i ka bërë mandatore. Neve na duhet me pa se si po rrjedhë çështja me zhvillimin e COVID-it”, tha shkurt Latifi për Kosovapress.

Në 24 orët e fundit 22 persona kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 nga 888 testime, derisa në total numri i rasteve aktive është 499.

div.meta-author { display:none; }