
Protestat studentore të 1 tetorit 1997 shënojnë një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë më të re të Kosovës në fund të shekullit XX.
Studentë nga e gjithë Kosova, profesorë e familjarë, të veshur me këmisha të bardha e me parulla në duar u nisën rrugëve të Prishtinës për të protestuar kundër regjimit të Millosheviqit që ua kishte mbyllur derën e fakulteteve. Profesori dhe Rektori Ejup Statovci, me shpirtin e një atdhetari intelektual i udhëhiqte ata në rrugën e drejtë të rezistencës e të lirisë.
Këto ngjarje, përveç që ishin një zë proteste ndaj diskriminimit të shqiptarëve nga regjimi serb në fushën e arsimit, luajtën edhe një rol të rëndësishëm për faktorizimin ndërkombëtar të çështjes së Kosovës.
Prandaj, për të shënuar përvjetorin e 25-të të kësaj ngjarje historike, Parlamenti Studentor do të organizojë marsh përgjatë rrugës së njëjtë, në lagjen Velania, rruga “1 Tetori”, më 01.10.2022 duke filluar nga ora 10:00. Me këtë rast ftojmë të gjithë studentët e Kosovës që të na bashkohen.
Ora dhe vendtakimi: 09:15-09:30, Biblioteka Kombëtare në Prishtinë.