
07\07\2022 11:12
Lazim Destani po mërr pjesë në Forumin e parë ekonomik Gjermano-Kosovar qe po mbahet në Prishtinë
Postimi i plotë:
Kënaqësi pjesëmarrja në Forumin e parë Ekonomik Gjermano-Kosovar që po i zhvillon punimet këto ditë (5-7 korrik) në Prishtinë. Ky Forum, i organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe me mbështetjen e Komitetit Lindor të Ekonomisë Gjermane e të Qeverisë së Kosovës, ka mbledhur së bashku mbi 40 biznese nga Gjermania, Kosova dhe diaspora.
Krahas rreth 250 pjesëmarrësve nga Kosova e Gjermania, të pranishëm në këtë Forum janë autoritete të larta nga Qeveria e Kosovës, perfaqësues nga Ministria Federale Gjermane për Ekonomi, si dhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë.
Mbajtja e këtij Forumi është edhe një mundësi e mirë për avancimin e bashkëpunimit mes Kosovës e Gjermanisë. Afaristë të shumtë nga të dyja vendet e nga diaspora këtu gjejnë mundësi të favorshme për shpalosjen e ideve dhe iniciativave për zhvillim biznesi, për rritjen e bilancit të tregtisë, industrisë e të eksporteve nga Kosova.
Është me rëndësi të veçantë njohja e afaristëve e partnerëve gjermanë me mundësitë e investimeve në fushat me potencial më të madh që ofron Kosova, pasi Gjermania është partneri kryesor strategjik për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës. Sipas agjendës në mbyllje të forumit pasojnë vizitat që do realizohen nëpër kompani e biznese në disa qytete të Kosovës. Këto vizita, përmes takimeve të drejtpërdrejta të afaristëve e bizneseve, paraqesin mundësi shumë të mira për njohje, për rrjetëzim e bashkëpunim mes bizneseve.