
06/01/2022 20:20
*Nga Erëza Krasniqi
Quhet Lagjia Mirdita në Malishevë, lagje e cila nuk ka më tepër se 5 kilometra nga qyteti, por është harruar si të ishte prapa diellit.
Ajo ka 20-25 shtëpi dhe që nga paslufta ende nuk e ka parë se si duket dora e pushtetit të vet komunal.
I vetmi investim nga paslufta në këtë lagje është shtruarja me rërë dhe bërja gati e rrugës për asfaltim diku nga viti 2014-2015 gjatë mandatit të Kryetarit të Komunës Z. Ragip Begaj.
Sipas tij kjo lagje gjatë mandatit të tij është asfaltuar dhe nuk ka asnjë problem por sipas banorëve thuhet dhe evidentohet se kjo rrugë nuk u shtrua kurrë deri më sot.
Ndërsa Kryetari i ri i kësaj Komune Z. Ekrem Kastrati nuk pranoi të prononcohet.
Por kjo rrugë përpos rëndësisë që ka për banorët e lagjes, ka rëndësi edhe më të madhe sepse është një lidhje edhe me fshatrat e tjera.
“ Për ne paraqet problem të madh sepse verës këtë rrugë e mbulon pluhuri, ndërsa gjatë vjeshtës dhe dimrit nga shiu e bora krijohet balta që na pengon dhe na vështirëson daljen. Poashtu edhe gropat dëmtojnë automjetet në masë të madhe, kjo rrugë nuk mirëmbahet nga komuna, ndërsa ne si banorë të kësaj lagje here pas here jemi të detyruar ta bëjmë vet këtë sepse në këtë cope rruge gjatë gjithë kohës duhet të kalojnë edhe nxënësit për të shkuar në shkollë” tha Petrit Mazreku njëri nga banorët e lagjes.
Shqetësimi tjetër tek banorët ishte edhe mungesa e ndriqimit në lagje apo në rrugët e tyre.
“Ne e kemi qytetin sikur në pëllëmbë të dorës dhe e shohim ndriqimin e qytetit qdo natë por në lagjen tonë natën ne nuk shohim as 10 metra larg shtëpive sepse kjo lagje e jona e as rruga nuk kanë ndriqim” tha Agim Mazreku një banor tjetër.
Të shqetësuar janë edhe mësimëdhënësit e shkollës fillore ’’Ibrahim Mazreku’’ Arsimtari i lëndës së historisë Bahti Thaqi tregoi se janë 30 puse të cilat shfrytëzohen për pije e ndër ta edhe puset të cilat furnizojnë me ujë shkollën e fshatit.
“Pra ky ujë i pijshëm shfrytëzohet nga nxënësit e kësaj shkolle dhe nuk është vështirë të merret me mend se qfarë ndodh sikur ai të infektohet nga rrjedhja e ujërave të zeza” tha ai.
Sikur këto të mos mjaftonin për t’ua vështirësuar jetën këtyre banorëve, në gjysmë të kësaj rruge disa njerëz vazhdimishtë hedhin mbeturina të ndryshme e mbetje të kafshëve të therura pas të cilave pastaj vijnë qentë( e qentë nuk janë problem i vetëm i kësaj lagjeje)të cilët rrezikojnë më së shumti fëmijët por edhe kalimtarët.
Kjo detyron që banorët e kësaj lagje tërë kohën të përcjellin fëmijët e tyre në vajtje e ardhje nga shkolla.
Besmir Mazreku ishte së bashku me të bijën e tij dorë për dore dhe në krah mbante qantën e vajzës së tij ai u shpreh i shqetësuar.
“Unë e kam veq qet çikë mbas 10 viteve e përcjelli deri tek shkolla dhe e pres deri të del prej shkollës se një ditë ka dashtë mem shku çika prej qenve’
Foto:
*Erëza Krasniqi është studente e vitit të parë në departamentin e gazetarisë/UP.