
28/05/2022. 17:04
Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, është ndarë nga jeta në moshën 57-vjeçare.
Nishani u lind më 29 shtator 1964 në qytetin e Durrësit.
Studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, në vitin 1988, teksa studimet pasuniversitare në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996.
Më pas studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004 ndërsa në vitin 2005 mori titullin “Master”, në Studimet Evropiane, në Shkollën e Studimeve Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës.
Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n dhe në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes.
Në vitin 1997 kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantik.
Karriera politike e Bujar Nishanit ka kaluar nëpër disa etapa ku në vitin 1991 u anëtarësua në Partinë Demokratike. Në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën, pastaj, në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike. Në vitin 2005, u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.
Në korrik të vitit 2005, Nishani u zgjodh deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.
Nga marsi 2007 – shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm teksa nga shtatori 2009 deri në prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë, për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit.
Më 11 qershor 2012 Kuvendi e zgjodhi President të Republikës së Shqipërisë në raundin e katërt me 73 vota pro dhe 1 votë kundër.
Në 24 korrik 2012, Bujar Nishani u pati betuar në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës.