
19/04/2022. 15:18
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se sot opozita ka tentuar që të formojë një Komision Hetimor i cili është në kundërshtim me ligjin.
“Sot ishim dëshmitarë të një përpjekje të kundërligjshme për të votuar formimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar. Ishte përpjekja e dytë e opozitës [PDK dhe AAK], të cilët në kundërshtim me rregullat për formimin e komisionit, tentuan që të vendosin para aktit të kryer seancën plenare të Kuvendit”, tha Kusari-Lila përmes një konference të jashtëzakonshme për media.
Ajo ritheksoi që Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, refuzoi që të bëhet pjesë e kësaj vendimmarrje, e cila shkel mbi normat e ligjit për hetimin parlamentar.
“Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u kurthuan në një vendimmarrje që nuk lejohet të bëhet sipas ligjin për formimin e komisioneve parlamentare. Siç e kemi thënë edhe në seancë po e ritheksoj që Vetëvendosje dhe Grupi Parlamentar, nuk kanë asgjë për të fshehur në raport me kërkesat për hetim parlamentar, për masat e marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë”.
“Megjithatë, ne nuk mund t’ia bëjmë numrat opozitës në këtë rrethanë, në veçanti, jo në situatën kur parashohin të bëjnë shkelje një raport me normat ligjore, e gjithashtu të pranojmë edhe etiktimet, fyerjet dhe gjithashtu paragjykimet që çdokush që është në pozitë, sillet njëjtë sikur dikur është sjellë opozita e sotme”.