
10/07/2022 17:48
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila i ka reaguar shefit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Kusari-Lila në reagimin e saj në Twitter është shprehur se Kosova është e gatshme për marrëveshje me njohje reciproke siç ka kërkuar kancelari gjerman dhe Parlamenti Evropian.
Madje, Kusari-Lila i ka thënë Petkoviqit që të lajmërohet kur kur Serbia është e gatshme për një marrëveshje të tillë.
“Kur të jeni gati, Petar Petkoviq, për një marrëveshje të bazuar në NJOHJE RECIPROKE, siç iu është thënë edhe nga kancelari gjerman dhe siç është kërkuar nga Parlamenti Evropian, na tregoni, ne jemi gati”, shprehet Kusari-Lila.
Reagimi i Kusari-Lilës erdhi pas një postimi në Twitter të Petkoviq ku ai përmendi emrin e saj duke aluduar në një deklaratë ku shefja e deputetëve të LVV-së thotë se marrvëshja me Serbinë është e pamundur.
Petkoviq, i cili është ndër kryesorët e propagandës së politikës serbe shprehet në postimin e tij se Serbia do të ruaj paqen dhe stabilitetin, pavarësisht se Kosova kërkon tension.
“Kur Mimoza Kusari thotë se kompromisi me Beogradin është i pamundur, kjo do të thotë se Prishtina nuk do të dialogojë! Alternativa e vetme e dialogut dhe kompromisit është tensioni në terren, këtë kërkon Albin Kurti. Beogradi do ta ruajë paqen dhe stabilitetin, pavarësisht ëndrrave militante të Prishtinës”, shkruhej në postimin e Petkoviq.
Në anën tjetër, ende nuk dihet nëse do të ketë në të ardhmën e afërt një takim të nivelit të lartë midis Kosovës dhe Serbisë.