
09/08/2022. 18:08
Nëntë ditë pas tensioneve në veri lidhur me vendimin për masën e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet serbe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Në takimin që e zhvilloi bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, ishin të pranishëm ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ai britanik Nicholas Abbott, i Gjermanisë Jorn Rohde, ambasadorja e Francës Marie-Christine Butel dhe ambasadori italian, Antonello De Riu.
Përpos Bislimit, pjesë e takimit ishin edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ai i financave Hekuran Murati, ku u diskutua për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë, që mundëson pagesën e energjisë nga konsumatorët në komunat në veri të Kosovës, si dhe për zbatimin e marrëveshjes me ENTSO-E dhe rëndësinë që ka kjo për sovranitetin e vendit.
Por, gjashtë ditë më parë, më 3 gusht, për takime me Kurtin e Bislimin në Qeveri shkuan ambasadori amerikan Jeff Hovenier si dhe ai britanik, Nicholas Abbott. Ky zhvillim erdhi para se Bashkimi Evropian të vendoste për një takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
Një ditë më pas, më 4 gusht u vendos për përballjen e radhës në Bruksel të Kurtit me Vuçiqin në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Pikërisht, atë ditë u bë e ditur nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë pranuar ftesën e Bashkimit Evropian që më 18 gusht të zhvillojnë raundin e ri të bisedimeve.
“Mund të konfirmoj se pasi përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, ftoi të dy palët në Bruksel, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq kanë pranuar ftesën e tij. Ata do të mirëpriten në Bruksel më 18 gusht nga Borrell dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, për të diskutuar për rrugën përpara në dialogun Prishtinë-Beograd”, tha Stano.