
08/08/2022. 19:38
Bashkëpunimi i afërt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), përbrenda mandateve që kanë ishte në qendër të takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe komandantit të KFOR-it, gjeneral major Ferenc Kajari.
Aty u ritheksua rëndësia e KFOR-it në sigurimin e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it.
Kurti theksoi domosdoshmërinë e përcjelljes së mesazheve të qarta për veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend.
Në takimin e përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryeministri shprehu gatishmërinë e qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Komandanti i KFOR-it i falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministrin Sveçla për bashkëpunimin e mirë mes qeverisë, Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, ndërsa i përgëzoi policët për sjelljen profesionale lidhur me ngjarjet në veri të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e qeverisë.
Kurti dhe Sveçla potencuan profesionalizmin dhe guximin e organeve tona të rendit dhe të sigurisë, përkatësisht Policinë e Kosovës, në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë sonë.