
25/04/2022. 17:54
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të Quintit dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, të ngarkuarin me punë në ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, Jacob Ëebber, ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel, ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu dhe shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Sipas një komunikate nga qeveria, del se kryetemë kanë qenë efektet e invazionit rus në Ukrainë, si edhe reagimi i botës perëndimore karshi Moskës. Ndërkohë, që është folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi. Por kjo temë, të paktën sipas njoftimit nga qeveria, del të ketë qenë më pak e rëndësishme.
“Në takim u diskutua për zhvillimet politike në vend dhe situatën politike në rajon. Dy muaj pas fillimit të invazionit dhe agresionit të paprovokuar ushtarak rus ndaj Ukrainës, nevoja për bashkërendim të qëndrimeve dhe të veprimeve të botës demokratike kundrejt Federatës Ruse mbetet e domosdoshme. Reagimi dhe rreshtimi i Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe ka qenë i menjëhershëm”, thuhet në komunikatë.
“Përveç sanksioneve të vendosura ndaj Federatës Ruse, në linjë me ato të BE-së dhe ShBA-ve, Kosova po ashtu është solidarizuar me popullin ukrainas duke shprehur gatishmërinë e saj që të mirëpres deri në 5000 refugjatë nga Ukraina teksa gazetarja e parë ukrainase nga 20 sosh që do t’i pranojë Kosova tashmë ka arritur në Prishtinë”, vazhdon njoftimi, i cili te pjesa për dialogun e ka vetëm një fjali.
“Gjatë takimit, u fol edhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për çka Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar që të jetë parimor dhe i balancuar për marrëveshje me njohjen reciproke në qendër”, bën me dije zyra e kryeministrit.