
23\03\2022 14:10
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore thoshte se reciprociteti me Serbinë është çështje ditësh, javësh e kurrsesi muajsh, në rast se ai bëhet kryeministër.
Por, një vit e një ditë pasi u bë kryeministër, për një gjë të tillë, i pari i qeverisë tha se reciprocitetin e ka ndërmend ta vë në zbatim, por është në bisedime me ministren e Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, që kur të vendoset të ketë sukses të plotë.
“E kam ndërmend ta zbatojmë reciprocitetin sepse është parim i raporteve të shëndosha demokratike, evropiane, ndër-fqinjësore dhe për këtë po bisedojmë me ministren e Ndërmarrësisë, Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajadri”.
“Do t’iu njoftojmë kur do ta bëjmë këtë, por nuk dëshirojmë ta bëjmë e të mos ketë sukses të plotë, sepse kosto do të ishte shumë më e madhe sesa tani, kur qartazi s’ka raport simetrik mes Kosovës e Serbisë”, është shprehur Kurti.
Tutje, Kurti tha se s’ka kërkuar të arrihet njohje nga Serbia me anë të shkëmbimit të letrave për çështjen e zgjedhjeve serbe.
“Unë s’kam kërkuar që me këtë shkëmbimin e letrave të arrijmë njohje nga Serbia, meqenëse është e mundshme që të shkëmbejmë letra edhe pa pasur njohje. Ne s’e kemi njohur njëri-tjetrin kur jemi takuar në Bruksel. Kryeministrat e të dy vendeve kanë bërë 33 marrëveshje pa u njohur ndërsjelltas”, ka thënë ai.
Vendosjen e reciprocitetit, Kurti e paralajmëronte edhe në gusht të vitit të kaluar nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ku thoshte se reciprocitetin duan ta bëjnë në mënyrën që nuk zhbëhet më.