News That Matters

Kurti, me anë të një videomesazhi, u ka uruar mirëseardhje bashkatdhetarëve tanë për festat e fundvitit

28/12/2021 22:32

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, me anë të një videomesazhi, u ka uruar mirëseardhje bashkatdhetarëve tanë për festat e fundvitit.

“Është kënaqësi e madhe për mua dhe për të gjithë ne që banojmë në Kosovë t’ju urojmë mirëseardhje në atdheun tuaj. Festat e fundvitit janë një periudhë e veçantë për të gjithë ne, por sidomos për ju, që shumicën e vitit gjendeni fizikisht jashtë, por me mendje dhe zemër gjithnjë në Kosovë”.

Kurti, teksa i ka falënderuar mërgimtarët për rritjen ekonomike, i ka paralajmëruar ata edhe për përhapjen e variantit Omicron të COVID-19.

“U jemi mirënjohës sa s’thuhet për mbështetjen tuaj të vazhdueshme ndaj vendit tonë. Remitancat janë rritur mbi 20 përqind sivjet. Pjesën më të madhe të vitit ju jeni njëmend jashtë vendlindjes tuaj dhe shtetit tonë, por gjithnjë jeni brenda kombit tonë, e madje edhe më shumë se vetë ne që jemi këtu sa i përket rritjes ekonomike”.

“Për fat të keq, ky fundvit na gjen sërish në kushte të vështira të pandemisë COVID-19. Kësaj here përballë një varianti të ri të virusit Corona, variantit Omicron. Ky variant është duke u përhapur me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe të paparë në mbarë botën, duke rrezikuar funksionimin e sistemeve shëndetësore në disa vende të Evropës Perëndimore, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Tashmë kemi marrë konfirmimin nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës se varianti Omicron është detektuar në Kosovë, gjë që na detyron të rrisim edhe më shumë vigjilencën tonë kundër përhapjes së këtij virusi. Sipas këshillave që kemi pranuar nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, një rritje e dukshme e rasteve të COVID-19 është e pashmangshme edhe në Kosovë, si në të gjithë botën”.

“Ardhja juaj në Kosovë do t’i gëzojë familjet tuaja e secilin prej nesh. Por edhe kësaj radhe do të na duhet të kufizohemi nga manifestimet dhe grumbullimet. Si kryeministër i Republikës së Kosovës, nuk kam detyrë më parësore sesa të mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, me të gjitha mjetet që i ka qeveria në dispozicion. Dhe këtë detyrë e kam jo vetëm ndaj atyre që janë banorë të Kosovës, por edhe ndaj juve që po na vini nga larg”, ka thënë Kurti.

Kryeministri, mes tjerash, u ka bërë thirrje mërgimtarëve që në rast se nuk janë vaksinuar në shtetet evropiane, këtë mund ta bëjnë në vendlindje.

“Nëse rastësisht nuk jeni vaksinuar atje, natyrisht se mund ta bëni këtë me rastin e hyrjes në Kosovë. Dhe të gjithë së bashku, le të respektojmë me përpikëri masat anti-COVID”.

div.meta-author { display:none; }