
29/10/2021 11:04
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se bllokimi i hyrjes së boksierëve kosovarë në Serbi do të adresohet në Bruksel para se të ketë një takim atje.
Ai në një konferencë për media ka theksuar se Beogradi e ka treguar fytyrën dhe thelbin e saj me moslejimin e hyrjes së boksierëve kosovarë.
“Së pari me bllokimin që ua bëri boksierëve tanë në kufi Serbia e shpërfaqi edhe një herë fytyrën dhe thelbin e saj si shtet për ata që kanë pasur dilema. Natyrisht se këto çështje do të trajtohen në Bruksel. Këto do të adresohen edhe para se të ketë takim në Bruksel sepse jemi në bashkëpunim me ata përmes letrave që ua dërgojmë”.
Kurti ka theksuar se deri tani nuk ka ndonjë datë për takimin mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se takim në nivel teknik do të ketë nga mesi i nëntorit.
“Takimi mund të ndodhte në gjysmën e dytë të nëntorit sa i përket përfaqësuesve të dyja shteteve tona, sa i përket takimit të udhëheqësve të shteteve nuk ka ndonjë datë për këtë gjë, besoj se kjo varet në masë të konsiderueshme nga Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak”,ka thënë Kurti