
07/01/2022
Inspektorati i Punës ka konstatuar në nëntor të vitit të kaluar se Bordi i përkohshëm i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” ka zgjedhur jashtëligjshëm kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrje. Përkundër kësaj, Bashkim Kurti, vazhdon ta mbajë këtë pozitë, shkruan “Radio-Ylberi”
Sipas vendimit, Bordi i Përkohshëm të Drejtorëve të KRU “Mitrovica” kishte afat prej 3 ditësh të shfuqizojë vendimin për zgjedhjen e kryeshefit dhe të rishqyrtohen edhe njëherë të gjitha procedurat që nga momenti i mbylljes së konkursit.
Sipas një vendimi të nxjerr në nëntor të vitit të kaluar, Inspektorati ka konstatuar se Bordi i Përkohshëm ka bërë shkelje duke përzgjedhur kandidatin Bashkim Kurti në pozitën e kryeshefit pasi ky i fundit nuk i ka plotësuar kriteret e konkursit, ku kriter ka qenë që të ketë diplomë universitare në lëmin e administrimit të biznesit, ekonomisë, financave, inxhinierisë, apo nga fushëveprimtaria e ndërmarrjes, andaj kandidati i përzgjedhur Bashkim Kurti ka diplomuar në kolegjin AAB Drejtimi Kriminalistikë dhe Master i Arteve në Menaxhment dhe Informatikë.
Ndërsa, sipas kryetarit të Bordit, Zijadin Lutolli, ky vendim i Inspektoratit është i jashtëligjshëm, sepse sipas tij është jashtë kompetencave të këtij institucionit të hetojë rekrutimet e larta. Ai këtë e bazon lidhur me një vendim të Inspektoratit në vitin 2019 pas një ankese që ishte drejtuar ndaj Bordit të atëhershëm të KRU “Mitrovica”, ku ky institucion kishte deklaruar se në bazë të nenit 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, nuk ka kompetencë ligjore për vendosjen e kësaj çështje.
Po ashtu këtë vendim Lutolli e sheh si atakim personal ndaj tij, prandaj thotë se ka dërguar ankesë për konstatimet e Inspektoratit të Mitrovicës në atë të Prishtinës.
“Inspektorati i Punës ka marr vendim të jashtëligjshëm, pasi ka dal jashtë kompetencave të veta, duke u marr me rekrutime të larta, kjo ka qenë diçka më shumë personale”, tha Lutolli për Paparacin.
Po ashtu, Inspektorati i Punës ka konstatuar se Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve së pari është dashur të mbajë test me shkrim për kandidatët që i kanë plotësuar kriteret e konkursit dhe më pastaj të vazhdohet me intervistën me gojë, andaj Bordi ka vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 10 të Udhëzimit Administrativ Nr. 07/2017.
E, që sipas Lutollit për rekrutet e larta nuk është e nevojshme testimi me shkrim.
“Sipas Inspektoratit të Punës, problemi i zgjedhjes së Kryeshefit ka qenë që nuk kemi bërë test me shkrim. Askund për rekrutimet e larta nuk bëhet test me shkrim. Nëse ma gjeni që diku në Kosovë në rekrutime të larta kanë bërë test me shkrim, më tregoni”, u shpreh ai.
Ankesa e dërguar nga Lutolli në Inspektoratin e Punës në Prishtinë pas vendimit të Inspektoratit në Mitrovicë.
Madje, ai thotë se ankuesi kryesor Alajdin Avdullahi, nuk e ka sjell asnjëherë diplomën e kolegjit të noterizuar, përkundër insistimit të Bordit.
“Ankuesi kryesore, A.Vadullahu ka diplomë nga kolegji turk, që dyshohet se është ‘diplomë false’ për shkak se ju është kërkuar dy herë me e-mail ta sjell të noterizuar asnjëherë nuk e ka sjell”.
Mirëpo, Avdullahi e mohon këtë, duke thënë se ka qenë në listën e ngushtë të përzgjedhjes, e nëse nuk do të kishte diplomë të noterizuar nuk do të arrinte deri në atë fazë.
“Procedura do të shkojë në Gjykatë Themelore në Prishtinë. I kam dorëzua kopjet në aplikacion, më pasë më kanë thënë me i sjell te noterizuara. I kam sjell edhe ato. Unë s’i kuptojë pretendimet e tyre që kinse unë nuk i kam sjell diplomën e noterizuar. Nëse nuk e kam sjell diplomën e noterizuar si kam arritur me shkua në rrethin e ngushtë. Kanë bërë shumë shkelje procedurale, as nuk kanë njoftua për rezultatet e as për përzgjedhjen”, tha ai për Paparacin.
Ky Bord ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës në korrik të vitit të kaluar. Anëtarë të tjerë janë: Teuta Ukshini-Aliu, Kumrije Kelmendi- Aliu dhe Fadil Berisha.