15/07/2022. 22:58
Ministri i Jashtëm i Polonisë, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së, Zbigniew Rau, gjatë së premtes ka realizuar disa takime me politikanët kosovarë.
Tek shefja e shtetit polaku dëgjoi për të arriturat e vendit, ku presidentja Vjosa Osmani e informoi për progresin e shënuar në forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Poashtu në këtë takim u fol edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin Raut iu tha se Kosova është vazhdimisht konstruktive, derisa procesi duhet që në qendër ta ketë njohjen e ndërsjellë.
Kryediplomati pati takim edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, e po ashtu edhe me kryeministrin e vendit Albin Kurti. Ky i fundit e informoi më detajisht për zhvillimet ekonomike dhe përparimin në fusha tjera.
Rau vizitoi edhe homologen Donika Gërvalla, Ministrin për Komunitete dhe Kthim Goran Rakiq e po ashtu shkoi edhe në KQZ.
Në fund të ditës ky mbajti një konferencë ku tregoi se qëllimi i vizitës ishte të marrë informacione nga dora e parë, derisa përmendi si frymëzim aktivistët e rinj me të cilët bisedoi e që, sipas tij, po shërbejnë si shtytës të ndryshimeve pozitive.