
04\01\2022 15:05
Kriza me energji elektrike në Kosovë ka bërë që Qeveria të ndaloj prodhimin e kriptovalutave në vend.
E gjithë kjo ka ardhur pas rekomandimeve të Komitetit Teknik për Masat e Emergjencës në Furnizimin e Energjisë, i cili u formua së fundmi nga vet Ministria e Ekonomisë.
Ministrja Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e tyre.
“Në fund të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë së Kosovës kemi themeluar Komitetin Teknik për ‘Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë’. Ky Komitet Teknik ka mbajtur dy takime për të identifikuar dhe rekomanduar zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara nga kriza energjetike botërore. Duke u bazuar në rekomandimet e këtij Komiteti Teknik, javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Kosovës. Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante, të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave. Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Kosovës”, ka njoftuar Rizvanolli.