
21/12/2021 11:57
Policia e Kosovës përkatësisht njësia e Krimeve Ekonomike në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, janë duke zhvilluar një aksion në gjerë kundër korrupsionit me ndërtimet pa leje në Brezovicë.
Pos Ferizajt, aksioni është duke u zhvilluar edhe në Prishtinë.
Këtë për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
“Policia e Kosovës ka në proces një operacion policor në rajonin e Ferizajt dhe të Prishtinës, dhe tani për tani nuk mund te japim informacione tjera. Pas përfundimit të operacionit do të njoftoheni për detaje tjera”, tha Hoxha.
Prokuroria Themelore në Ferizaj njoftoi se lidhur me këtë aksion me urdhër të saj dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës -Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë janë arrestuar 10 persona.
Në mesin e të arrestuarve ishe edhe ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtar të tjerë dhe pronarë të firmave, për shkak të dyshimit të veprave penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Policë të shumtë janë ende në objektin e komunës së Shtërpcës teksa aksioni është duke vazhduar ende.
Aksioni që është duke u zhvilluar ka të bëjë me veprat penale të korrupsionit me ndërtimet pa leje në Brezovicë.
Policia e Kosovës gjatë aksionit ka kryer edhe bastisje, teksa Klankosova.tv ka siguruar pamje nga bastisja e banesës së Nikoliqit.
Policia po ashtu pas bastisjes ka konfiskuar edhe një veturë, e cila sipas banorëve është e Nikoliqit.
Kujtojmë se aksioni është duke vazhduar ende.