
09/07/2022. 11:03
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka uruar Kurban Bajramin nga Bashkësia Islame e Kosovës duke thënë se në këtë ditë mendojnë për njerëzit që nuk i kanë pranë të afërmit e tyre në festë.
“Kisha kënaqësinë që sot të jem këtu në Bashkësinë Islame të Kosovës për ta takuar myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, bashkë me bashkëpunëtorët e tij dhe për t’i uruar në këtë ditë të veçantë, festë të madhe të fesë islame, në Kurban Bajram. Është një nga ditët e mëdha dhe të veçanta kur ne mendojmë edhe më shumë sesa në ditët e zakonshme për bamirësinë, solidaritetin dhe sakrificën – sepse janë këto simbolika të kësaj feste. Në këtë ditë padyshim që mendojmë për ata që kanë nevojë për t’iu gjetur pranë, njerëzit e mirë të vendit tonë të cilët nuk i kanë të afërmit e tyre afër vetes”.
Ai i ka uruar në mënyrë të veçantë familjet e dëshmorëve dhe martirëve, derisa ka thënë se në këtë ditë feste në mendje i kanë edhe ish-krerët e UÇK-së që janë në Hagë.
“I urojmë në mënyrë të veçantë familjet e dëshmorëve dhe martirëve, por edhe familjet e Kosovës të cilët nuk i kanë të afërmit e tyre në këtë ditë. Në këtë ditë padyshim se mendjen e kemi edhe te udhëheqësit e UÇK-së që po mbahen në Gjykatën Speciale të cilëve shfrytëzojmë rastin t’ia urojmë këtë festë nga larg duke shpresuar që shpejt do t’i kemi në mesin tonë”.
“Poashtu thërrasim dhe ftojmë që të marrim nga shembulli i Kurban Bajramit dhe t’i gjendemi më afër njëri-tjetrit, të kemi më shumë mirëkuptim dhe dashuri për njëri-tjetrin dhe të frymëzohemi për të bërë punë të mira për vendin dhe kombin tonë”, tha Krasniqi.