News That Matters

Krasniqi: Qytetarët e Kosovës do ta paguajnë çmimin e energjisë pa rritje

19/05/2022. 13:43

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Apelit për vërtetimin e vendimit të Gjykatës Themelore lidhur me bllokimin e tarifave të shtrenjtuara të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Krasniqi në një konferencë për media tha se falë kësaj fitoreje ligjore të PDK-së, tash e tutje, rreth 450 mijë familje kosovare do të paguajnë energjinë elektrike pa ngritje të çmimit.

Ai i falënderoi qytetarët për besimin në kauzën e Partisë Demokratike të Kosovës, tha se përmes vendimit të djeshëm të Gjykatës së Apelit dhe falë punës dhe angazhimit të ekipit të PDK-së, saga për tarifat e shtrenjtuara të energjisë ka marrë fund.

“Sot, jam shumë i lumtur që ky vendim i padrejtë dhe i paarsyeshëm i Qeverisë dhe ZRRE-së, tashmë është konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit se ka qenë vendim i kundërligjshëm. Për më shumë të njëjtin vendim e kishin mbështetur në forma të ndryshme edhe presidentja dhe të gjitha levat e pushtetit. Falë punës dhe angazhimit të këtij ekipi, e përmes vendimit të djeshëm të Gjykatës së Apelit, saga për tarifat e reja e të padrejta mbi qytetarë ka marrë fund. Nga ky realitet i ri i krijuar, neve na vjen mirë që kemi lehtësuar barrën e kostos së rritur kundërligjshëm të çmimit të energjisë elektrike për rreth 450 mijë familje kosovare. Me këtë rast, para së gjithash dua të shprehë falënderimin për secilin qytetar anekënd Kosovës që i ka besuar kauzës sonë dhe që ka mbështetur angazhimin tonë opozitar për të ndaluar këtë haraç të padrejtë të pushtetit mbi ta”-tha Krasniqi.

Numri një i PDK-së e kritikoi mazhorancën në Kuvend dhe Qeverinë Kurti për mungesë konsiderate ndaj kostos së papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike që ishte vendosur për qytetarët me tarifat e reja, andaj PDK si liderë e opozitës me ekipet e saj ligjore, në mbrojte të interesit publik dhe interesit të qytetarëve si konsumatorë është angazhuar maksimalisht për të kërkuar pezullimin e zbatimit të këtij vendimi të ZRRE-së.

“Natyrisht, kjo fitore ligjore e PDK-së, me mbështetjen edhe të partive tjera opozitare, ndaj pushtetit dhe vendimeve të kundërligjshme të tij, nuk është fitore politike ndaj pushtetit, por fitore meritore për të drejtat e qytetarëve përballë autoritetit të pushtetit kur ai autoritet përdoret kundërligjshëm dhe në dëm të interesit publik. Kjo e shton përgjegjësinë tonë politike dhe Partia Demokratike e Kosovës, si në këtë rast, do të vazhdojë të qëndrojë në anën e qytetarëve kundër çdo vendimi të kundërligjshëm e të padrejtë të pushtetit”-theksoi Krasniqi.

div.meta-author { display:none; }