
02\01\2022 15:16
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi thotë se Qeveria Kurti në vitin e parë në pushtet ka treguar mungesë të kompetencës, dijes dhe vizionit.
Lideri opozitar i kërkon kryeministrit Kurti të fokusohet te qeverisja dhe jo te zgjedhjet e reja. Ai e fajëson kreun qeveritar për mungesën e zgjidhjes për krizën energjetike dhe thotë se duhet ta trajtojë më seriozisht dialogun me Serbinë. Ndërkohë, paralajmëron formimin e qeverisë në hije të PDK-së në fund të muajit shkurt.
Krasniqi thotë për KosovaPress se Qeveria Kurti s’i ka bërë as tri punë të rëndësishme gjatë vitit 2021.
“Kemi qenë të befasuar për të keq me mungesën e kompetencës së qeverisë. Kanë qenë pritjet se së paku ministrat të kenë më shumë njohuri dhe vizion për fushat që iu është besuar detyra, por kjo nuk ka ndodhur. Mua më vjen keq që ky vit po mbyllet pa pasur mundësinë që t’i llogarisim së paku tri punë të rëndësishme që i ka bërë kjo qeveri. Nëse analizojmë vërtet dhe objektivisht punën e qeverisë gjatë këtij viti, qoftë planin e brendshëm dhe veçanërisht planin e jashtëm s’ka pasur asnjë avancim pozitiv. Kemi pasur telashe të mëdha me pandeminë. Vetëm këtë vit kemi pasur dy valë të mëdha që kanë marrë shumë jetë njerëzish dhe që kanë qenë të karakterizuara me keqmenaxhim nga ana e institucioneve”, thotë Krasniqi.
“Kemi pasur telashe në politikën e jashtme, sot Kosova se ka një njohje të re dhe as nuk ka aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kemi pasur degradim të raporteve tona në rajon dhe veçanërisht me Shqipërinë që është e pakuptimtë dhe e papranueshme. Por edhe një degradim të raporteve tona me disa prej partnerëve kryesorë të Kosovës siç janë SHBA dhe disa nga shtetet kyçe të BE-së. Realisht krejt çka e ka definuar këtë vit është se në vend që të kishim një rritje të mirëqenies së qytetarëve ne patëm rritje të çmimeve dhe shtim të problemeve, të cilat me një qasje tjetër do të ishin të vogla. Deri tash nuk kanë lënë hapësirë se mund të ketë ndonjë zhvillim pozitiv me këtë qeveri. Mungesa e kompetencës, dijës por edhe vizionit qeverisës është shqetësuese”, shton ai.
Veçanërisht, sipas tij, ekzekutivi ka faj për mungesën e zgjidhjes së krizës energjetike.
“Faji është i qeverisë për mungesën e zgjidhjes së krizës dhe për neglizhencë që ata e kanë trajtuar këtë çështje. Unë nuk dëshiroj të jem alarmues, por ne ende se kemi arritur pjesën më të keqe të kësaj krize. Pasi me uljen e temperaturave është normale që të rritet konsumi dhe prodhimi vendor është duke shkuar më poshtë për shkak të daljes edhe të blloqeve të tjera. Ndërsa, çmimet në treg janë enorme, kapacitetet financiare për të mbuluar importin duket se nuk ekzistojnë dhe rrjedhimisht kjo do të krijojë një krizë më të rëndë se kjo që e kemi përjetuar në muajin dhjetor”, tregon Krasniqi.
Lidhur me mundësitë e zgjedhjeve të reja gjatë këtij viti, kreu i PDK-së thotë se fokusi i kryeministrit Kurti duhet të jetë te qeverisja dhe jo te kutitë e votimit. Por kjo, sipas tij nuk do të thotë se PDK-ja nuk është e gatshme për zgjedhje të reja.
“Duket se aq shpesh kemi mbajtur zgjedhje në Kosovë, sa kjo tema se do të ketë përsëri zgjedhje është bërë krejt e natyrshme edhe kur është në nivelin e spekulimeve. Ka pasur raste të tjera të kaluarën kur është thënë se do të ketë zgjedhje në këtë muaj, apo stinë, por nuk janë mbajtur. Kështu që unë besoj se fokusi aktual i qeverisë duhet të jetë te qeverisja dhe jo zgjedhjet. Pasi ne besojmë se nuk duhet të ketë ndryshim të qeverisë, sa duhet të ketë ndryshim të mentalitetit dhe qasjes në qeverisje. Kjo asnjë mënyrë s’do të thotë se s’jemi të gatshëm për zgjedhje, padyshim se partitë politike serioze gjithmonë janë të gatshme për të shkuar në zgjedhje. Këtë e kemi dëshmuar, pasi rëndom kemi pasur zgjedhje të jashtëzakonshme që mbahen jo më shumë se 45 ditë”, thekson ai.
Krasniqi thotë se kryeministri Kurti nuk duhet t’iu ikë përgjegjësive edhe në raport me dialogun me Serbinë. Megjithatë, siç thotë, dialogu nuk duhet të jetë vendimtar për qeveritë e Kosovës.
Krahas kësaj, lideri opozitar i kërkon kryeministrit të jetë më serioz në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
“Për të pasur suksese në dialog qeveria duhet të jetë shumë më serioze se është treguar deri tash. Muajt e kaluar kanë qenë muaj të humbur, ka pasur dy takime që janë përdorur për ‘show’ politik dhe për konsum të brendshëm dhe jo për të arritur qëllimet e dialogut. Fokusi i kryeministrit dhe Qeverisë duhet të jetë në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, por e vërteta është se këtë vit, së paku pjesën e parë të vitit nuk ka hapësirë reale për të bërë diçka konkrete pasi edhe Serbia i ka zgjedhjet në fillim të prillit, deri atëherë s’pres as iniciativë nga ana e ndërmjetësit”, thotë Krasniqi.