
13/04/2022. 14:29
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, bashkë me ministrin për Bashkëpunim Regjional nga Izraeli, Esaëi Freji dhe me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, vizituan sot Shërbimin Spitalor të Kosovës, përkatësisht Klinikën e Pediatrisë.
Ministri për Bashkëpunim Regjional i Izraelit, për të cilin kjo është vizita e tij e parë në Kosovë, tha se Qeveria e Izraelit, e ka në prioritet bashkëpunimin dhe mbështetjen e Kosovës, duke i vlerësuar si të rëndësishme raportet miqësore dhe bashkëpunimin korrekt në mes dy shteteve, sidomos për shërimin e fëmijëve nga sëmundje që nuk mund të trajtohen plotësisht në Kosovë.
“Jemi të gatshëm si kurdo herë që të kontribuojmë në përmirësimin jo vetëm të infrastrukturës shëndetësore, por edhe më përgatitjen e kuadrove shëndetësore kosovare”.
Në këtë takim, Latifi u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me Qeverinë e Izraelit, pasi që të dy vendet kanë marrëdhënie të mira ndërshtetërore, ndërsa veçoi mbështetjen e Izraelit për shërimin e fëmijëve kosovarë.
Deri më tani, janë gjashtë fëmijë nga Kosova të cilët janë kuruar në Izrael, dhe për këtë Latifi, u shpreh se është mirënjohës për një kontribut të tillë.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, falënderoj Qeverinë dhe shtetin e Izraelit për të gjithë mbështetjen dhe kontributin e dhënë për Kosovën.
Ndërkaq, drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, shprehu konsideratën e tij për delegacionin nga Izraeli, duke shpresuar në bashkëpunim dhe në mbështetje të vazhdueshme.
Pjesë e këtij delegacioni ishte edhe Simon Fisher, drejtor ekzekutiv i organizatës “Save the Child Hart”, i cili deklaroi se fëmijë të tjera nga Kosova do të shërohen në Izrael, për probleme të ndryshme shëndetësore.