
25/07/2022. 10:55
Komuna e Mitrovicës ka themeluar shtabin emergjent për mbrojtjen dhe parandalimin nga zjarri. Kjo është bër e ditur përmes nje postmi ne Facebook nga Komuna e Mitrovicës.
Postimi i plotë:
Shtabi Emergjent për Mbrojtje nga Zjarri mbajti takimin e tij të parë, ku u diskutua për gjendjen aktuale në Komunën e Mitrovicës, sa i përket përhapjes së zjarreve.
Hapja e këtij takimi është bërë nga nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, i cili ka theksuar se arsyeja e formimit të këtij shtabi është në inspektimin, parandalimin dhe mbrojtjen nga zjarri.
Ndërsa, drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Bahtir Maxhuni, ka thënë se së bashku me nënkryetarin e Komunës z. Arian Tahiri sot kanë qenë në vendin e ngjarjes të përfshirë nga zjarri në pjesën afër poligonit dhe në fshatin Zasellë, ku Njësia e Zjarrfikësve, zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe zyrtarët e Ushtrisë së Kosovës-FSK, kanë bërë maksimumin për minimizimin e pasojave dhe shuarjen e zjarrit i cili kishte marr përmasa të mëdha hapësinore.
Ky Shtab është në përbërje: drejtoritë komunale; Policia e Kosovës; Njësiti i Zjarrfikësve; Qendra Operative Rajonale, Ujësjellësi, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Kryqi i Kuq.
Shtabi do të koordinohet dhe mobilizohet për të përballuar situatat emergjente nga zjarret, ku kërkohet edhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve të Mitrovicës që të bëhen pjesë e bashkëpunimit me shtabet për të përballuar këtë situatë.
Nga anëtarët e këtij shtabi është bërë edhe një apel ndaj qytetarëve për kujdes të shtuar, si masë preventive për shfaqjen dhe përhapjen e zjarreve në fusha dhe pyje.