News That Matters

KFOR: Droni që ka rënë në Mitrovicë është i yni

23\03\2022 18:31
Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka konfirmuar se droni që ka rënë sot në lagjen Bair të Mitrovicës ishte i tyre.

Nga KFOR-i kanë konfirmuar për Telegrafin se droni ka rënë si pasojë e mosfunksionimit, duke shtuar se droni nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja konfirmon se një nga dronët e tonë u ul në një kopsht privat në zonën e Mitrovicës, si pasojë e mosfunksionimit. Droni nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz apo dëme materiale dhe është nxjerrë nga Forca Policore e Kosovës menjëherë pas uljes së tij”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Tutje, KFOR bën të ditur se droni po kryente një mision rutinë monitorimi në mbështetje të aktiviteteve të tyre teksa kanë filluar një hetim për të ditur shkakun e këtij incidenti.

“Droni po kryente një mision rutinë monitorimi në mbështetje të aktiviteteve të KFOR-it, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, duke e mandatuar KFOR-in të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, vijon përgjigja.

Gjithashtu, KFOR ka falënderuar qytetarët për bashkëpunim.

“KFOR-i dëshiron të falënderojë popullatën lokale për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin; dhe për kontaktimin e menjëhershëm të autoriteteve kosovare, duke bërë të mundur marrjen e menjëhershme të dronit dhe zbutjen e çdo shqetësimi të shkaktuar nga incidenti. KFOR-i tashmë ka filluar një hetim për të përcaktuar shkakun e këtij incidenti”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it .

Ndryshe, droni ka rënë sot rreth orës 14:00, ndërsa nuk është raportuar për persona të lënduar.

div.meta-author { display:none; }