
09/06/2022. 11:21
Sot bëhen katër vite që nga vdekja e legjendës së futbollit shqiptar, Fadil Vokrri
Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, bashkë me ekipin kombëtar dhe veteranët e futbollit do të bëjnë homazhe tek varri i ish-presidentit të FFK-së.
Sot Kosova e luan ndeshjen e tretë të grupeve në Nations League, ku do të përballet me Irlandën e Veriut, pikërisht në stadiumin që mbart emrin e legjendës, stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në përvjetorin e katërt të vdekjes së tij, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka shkruar një letër përkujtimore.
Letra e plotë:
Sot bëhen katër vjet që kur na la presidenti, miku dhe Legjenda jonë, Fadil Vokrri. Një figurë emblematike e futbollit të Kosovës, që në rininë e tij të hershme u shqua si njëri nga futbollistët më të spikatur në trojet shqiptare dhe jo vetëm, derisa për shumë vite u dallua edhe si drejtues i denjë i FFK-së.
Sot, Legjenda na mungon të gjithëve fizikisht, por përherë mbetet në kujtimet tona si një personalitet i cili me karrierën e tij të bujshme i dha vlera të mëdha futbollit të Kosovës, teksa udhëhoqi me sukses procesin e anëtarësimit në UEFA e FIFA.
Fanella me numrin 9 e simbolizonte karrierën e tij madhështore. Tani 9 qershori e simbolizon përkujtimin e tij të përjetshëm, teksa në çdo ndeshje të Kombëtares së Kosovës minuta e 9-të simbolizohet me brohoritjet e tifozëve me emrin e tij.
Fadil Vokrri mbetet pjesë e motivimit të gjeneratave të reja, derisa për shumë breza që kishin fatin të luanin, të punonin e të ishin afër tij mbetet kujtim krenarie.
Jam i nderuar që isha në mesin e miqve të tij të shumtë, por edhe krahu i tij i djathtë në rrugëtimin drejt ndërkombëtarizimit. Së bashku kaluam nëpër shumë peripeci, por punuam në vazhdimësi me përkushtim që futbolli i Kosovës të jetë në nivelin ku është sot.
Tani arritjet tona janë pjesë e përkushtimit në punë dhe u dedikohen të gjithë atyre që punuan e kontribuuan në futbollin kosovar që nga ditët e para të mëvetësimit.
Sot, në këtë datë, rastisi që Kombëtarja jonë të luajë kundër Irlandës së Veriut, ndeshje e cila do të jetë në përkujtim të tij dhe rezultati i saj, i cili shpresojmë se do të jetë pozitiv, do të jetë i dedikuar për Fadil Vokrrin.
Pusho i qetë LEGJENDË!