
*Nga Faruk Tasholli
(Satirë në kohë lufte)
U mbyll Cari ne Kremlin:
Vodkën ruse kush s’ma pin,
Kohë të arta ishin, shkuan…
As Kalinkën kush s’ma luan!
Ky Bondstili amerikan
Ma zu bishtin në Ballkan,
Sherr te madh paska shqiptari
S’më rrin pranë as ai qen Sharri;
Zog i serbit me mendje dysh
Kur ma fali sa ishte klysh,
Kisha shpresë besnik më del
E tash rrin me sy n”Bruksel!
E çoj vodkën thik përpjetë
M’u ka ba kryet raketë,
Ç’u mbush bota me bërtima:
Ukraina, Ukraina!…
Flakë e nisa më doli pus
Po më ikë dhe shpirti rus,
Pij e shoh me sy hutini
S’më vjen pas as Gagarini!