
06\01\2022 14:56
Nga dhjetë të arrestuarit e sotëm gjatë bastisjeve në kuadër të operacionit “Brezovica”, dy prej tyre janë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit e Planifikimit Hapësinor.
Në pranga si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit kanë përfunduar ish-sekretari i Ministrisë së Ambientit, Arben Çitaku dhe Bedri Halimi, kryeinspektor në këtë ministri.
Nga dhjetë lokacionet që janë bastisur sot në vazhdim të operacionit “Brezovica”, janë arrestuar shtatë persona.
Ndërkaq, në të njëjtin operacion, rreth dy javë më herët Policia e Kosovës kishte arrestuar edhe dhjetë persona të tjerë.
Bastisjet e sotme kanë përfunduar në Ferizaj e në Shtërpcë, ndërkaq pritet të përfundojnë së shpejti edhe në Prishtinë.
Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Telegrafin, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari.
“Bastisjet në Ferizaj dhe në Shtërpcë kanë përfunduar, në Prishtinë janë po ashtu në përfundim e sipër. Deri më tani janë vetëm ata shtatë që janë arrestuar, e për më vonë ju njoftojmë”.
Mëngjesin e së enjtes, Policia e Kosovës ka vazhduar operacionin “Brezovica” i cili lidhet me ndërtimet në Brezovicë, operacion ky që kishte nisur më 21 dhjetor.
Gjatë ditës së sotme, në pranga kanë përfunduar shtatë persona, prej të cilëve dy janë zyrtarë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Deri me tani janë arrestuar shtatë (7) persona, dy prej tyre janë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare – marrje ryshfeti, si dhe pesë (5) qytetarë të dyshuar për dhënie të ryshfetit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.
Më 21 dhjetor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Shtërpcë lidhur me ndërtimet.