
17/02/2022
Ish-presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, thotë se 17 shkurti i vitit 2008 do të mbetet përjetësisht si përmbyllje e përpjekjeve të pareshtura të popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe demokraci.
Sejdiu thotë se Pavarësia është akti për të cilin është bërë e dhënë shumë brez pas brezi teksa kapërcimet e popullit në rrugën drejt 17 shkurtit nuk kanë qenë të lehta.
“Nuk ka asnjë dilemë se është akti për të cilin është bërë e është dhënë më së shumti brez pas brezi. Kapërcimet e jashtëzakonshme të popullit tonë në rrugën drejt 17 shkurtit nuk kanë qenë të lehta, as lehtësisht të përballueshme, mirëpo të gjitha ato u kurorëzuan me 17 Shkurtin e vitit 2008”.
“Sakrificat e popullit shqiptar për të bërë Kosovën jo vetëm të pavarur, por edhe vend të jetueshëm e me dinjitet ishin të përhershme. Ato u ngjizën me secilin, e tek secili, dhe si të tilla i gjejmë përherë në rrethana të ndryshme dhe në forma të ndryshme”.
“Liria dhe pavarësia ishin parakusht për dinjitetshmëri individuale e kolektive. Në këtë frymë veçojmë përpjekjet e veçanta që u bënë në kuadër të rezistencës paqësore, të cilat pa asnjë dilemë se u bënë bazament i shtetit të sotëm”.
Ish-presidenti Sejdiu nuk ka lënë pa përmendur edhe ish-presidentin historik, Ibrahim Rugovën, për të cilin thotë se ishte insistues dhe konsistent në trinomin ‘liri, pavarësi, demokraci’.
“Përpjekjet paqësore që prijës patën Presidentin Dr. Ibrahim Rugova, i cili në të gjitha rrethanat ishte insistues dhe konsistent në trinomin liri, pavarësi, demokraci, që dhanë si rezultat 17 shkurtin e vitit 2008”, ka shkruar Sejdiu në rrjetin social Facebook.