
18/12/2021 21:09
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë më të kujdesshëm për shkak të numrit të madh të rasteve me gripin sezonal.
Në njoftimin e IKSHPK-së, thuhet se duhet të vaksinohen qytetarët kundër gripit sezonal.
“Nga fillimi i sezonës, 01 tetor 2021 (java e 40-të) deri më 12 dhjetor 2021 (java e 49-të) në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës janë raportuar gjithsej 15,786 raste të Sëmundjes të ngjashme me Grip (ILI), 2,498 raste të Infeksioneve respiratore akute (ARI) dhe 69 raste me Infeksion të rëndë respirator akut (SARI)”.
“Gjatë javës së 49-të (06.12.2021-12.12.2021) janë raportuar 5,998 raste ILI (Sëmundje e Ngjashme me Gripin), 465 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 12 raste me Infeksion të Rëndë Akut Respirator SARI”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Këtu më poshtë i keni propozimet se si të mbroni vehten dhe të tjerët nga gripet:
* Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
* Nëse keni shenja të gripit, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore!
* Të redukohet numri i vizitave të familjarve tek personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale).
* Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!
* Nëse keni shenja të gripit mbani distancë të paktën 1 metër prej njerëzve!
* Mbuloni hundën dhe gojën me faculetë në rast të kollës apo teshtitjes!
* Hidhni faculetën menjëherë pas përdorimit në shportën e mbeturinave!
* Shmangni prekjen e syve hundës apo gojës me duar të pa pastruara!
* Nëse keni shenja të gripit, mos shkoni në punë, shkollë apo vende me shumë njerëz, por qëndroni në shtëpi!
* Shmangni përqafimin, puthjen dhe shtrëngimin e duarve kur përshëndeteni!
* Pastroni rregullisht duart me ujë dhe sapun dhe dezinfektoni ambientin ku qëndroni!
* Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina dhe bëni aktivitet fizik!