
05/02/2022
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka apeluar që të përfillen masat kundër COVID-19, si: mbajtja e maskës, higjienës dhe distancës si dhe të vaksinoheni, pasi sipas tij, varianti i COVID-it, Omikron, po e rëndon situatën epidemiologjike në vend.
“Omicron (B.1.1.529) po vazhdon të përhapet me intensitet të lartë, me shtim të hospitalizimeve dhe rasteve fatale dhe është varianti dominues në qarkullim që po rëndon gjithnjë e më tepër situatën epidemiologjike dhe mund të ngarkojë institucionet shëndetësore në ditët në vijim me pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve. Virusi është kudo andaj mos neglizhoni rekomandimet themelore: maska, distanca, higjiena. Shmangni udhëtimet, qëndroni në shtëpi dhe ajrosni ambientet e mbyllura”, thuhet në njoftimin e këtij instituti.
IKShPK-ja rekomandohen të testohen të gjithë ata që kanë kokë dhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes.
“Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithëpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12-vjeçare”.
Sipas IKShPK-së, vaksinat mund të merren çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor në komunën tuaj.