
“Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.” – Nënë Tereza

Sot në Klinikën e Onkologjisë në QKUK ndodhi një ngjarje e mrekullueshme dhe jo e zakonshme deri më tash. Jo e zakonshme, sepse për herë të parë nxënëset e një shkolle në mënyrë kolektive vizituan këtë klinikë dhe me plot dashuri e humanizëm mblodhën dhurata për fëmijët me kancer dhe veç tjerash dhuruan flokët e tyre të prera për vajzat që vuajnë nga kjo sëmundje e që me flokët e tyre atyre do t’u bëhen paruke si pasojê e rënies së flokëve gjatë kimioterapisë. E këtë gjest kaq të vogël sipas nxënëseve, por shumë i madh për vajzat me kancer, e bënë nxënëset e SHMLM ” Dr. Xheladin Deda” në Mitrovicë, nën përkujdesjen e mësimdhënëseve, Ajete Miftari e Blerta Aliu, dhe drejtoreshës së shkollës Drita Zaraj Qamili.

Kjo iniciativë e para e organizuar në nivel vendi në mënyrë kolektive nga shkolla jonë, besojmë se do të shërbej si shembull për shkollat tjera për humanitet dhe përkrahje të sinqertë të të gjithë atyre që vuajnë nga kanceri dhe që kanë nevojë ta ndjejnë përkrahjen morale më tepër gati, se sa atë materiale.
Iniciatvën në fjalë me plot vullnet e përkushtim përkrahën edhe prindërit e fëmijëve, të cilët jo vetëm që përkrahën fëmijët e tyre, por edhe ato dhuruan flokët e tyre të prera për fëmijët e prekur nga kjo sëmundje.

Prindërit dhe nxënësit u mirëpritën dhe u falënderuan nga stafi i Klinikës së Onkologjisë për këtë iniciativë kaq mirë të organizuar nga shkolla jonë, bile-bile kjo ngjarje bëri që edhe televizioni shtetëror RTK të bëjë një storie për këtë ngjarje.
Nxënësit dhe prindërit e po ashtu edhe mësimdhënëset, Ajete Mifrari dhe Blerta Aliu, drejtoria e shkollës dhe gjithë kolektivi i shkollës i përgëzojnë për kêtë iniciativë kaq domethënêse!
Urojmë kjo iniciativë të kthehet në traditë!
Drejtoria e shkollës
