
12/02/2022 12:54
*Nga Isuf Ahmeti
Vushtrria
Territori i qytetit të Vushtrrisë gjendet në pjesën veriore të Kosovës. Është lokalitet antik që daton që nga mesjeta, përkatësisht që nga koha e Dardanëve. Vushtrria në kohën e vjetër është quajtur VICIANUM – VICIANA (Ana e Viqave), një emër ky i lashtë ilir. Se Vushtrria në kohën antike është quajtur VICIANA, dëshmon edhe mbishkrimi i gjetur në rrethin e Kumanovës, që konsiderohet shenjë e kahes së rrugës për në Vicianë. Në vitin 395, pas shkatërrimit të Perandorisë Romake Viciana mbeti në kuadër të Bizantit. Ndërkaq, fiset turke dhe sllave që erdhën në Ballkan në shkek. VI-VII e shkatërruan këtë gadishull dhe toponimet e vjetra Pellazgo – ilire ua përshtatën gjuhëve të tyre.
Sipas dokumenteve mesjetare të burimit shqiptar, raguzan, venedikas, kotorras, sas, serb, Vushtrrinë e ndeshim me emra të ndryshëm Voliçiter, Voulcitern, Vuolatern, Volcitern, Vozitrin, Vocytrin, Vucetarno, Vulcetarno, Vucitarnouo, Vlçetren, Wolfsdorne (sipas Arnold von Harfit), Vetscherin dhe Busitrin (sipas atlasit të Sprenirit), kurse në defterët osmanë Vushtrrinë e ndeshim me këtë emër ولچترين .
Disa nga monumentet e trashëgimisë kulturore në Vushtrri që kanë vlera arkitektonike dhe që përbëjnë thesarin e trashëgimisë kulturore të këtij qyteti, por edhe të Kosovës janë: Kështjella e qytetit, Hamami i qytetit, Çeshmja, Ura e gurit, Xhamia e Çarshisë, Xhamia Gazi Ali Beg, Xhamia Karamanli, Teqeja, varreza të ndryshme, si dhe shumë objekte të tjera banimi e komplekse të ndërtesave e dyqaneve të vjetra.
I. A.