
19/07/2022. 10:12
Kjo e martë shënon ditën e nisjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Kryeministri i Shqipërisë,Edi Rama, që ndodhet në Bruksel bashkë me delegacion, thotë se Shqipëria sot do të ulet në tryezën e madhe të Bashkimit Europian.
“Me kënaqësinë e me krenarinë që sot Shqipëria e të gjithëve ne, pa dallim feje, krahine, ideje, moshe a statusi social, Shqipëria e Skënderbeut, e rilindasve, e dëshmorëve të luftës, e martirëve të regjimit komunist, e studentëve të Dhjetorit ’90, Shqipëria e familjeve të zakonshme shqiptare, kudo ndodhen dhe e fëmijëve tanë kudo ku rriten me prindërit e tyre, ulet në tryezën e madhe të Europës së Bashkuar për të filluar negociatat për anëtarësimin e saj”, ka shkruar Rama në Facebook.
Konferenca e Parë Ndërqeveritare me BE-në sot do të mbahet me Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë e Veriut, pas zhbllokimit të ngërçit me Bullgarinë, që kishte vendosur veton ndaj Shkupit duke u bërë pengesë edhe për vendin tonë.