
17/06/2022. 18:04
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se orientimi kryesor i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Në Forumin e Prespës, që po mbahet në Maqedoninë e Veriut, kryediplomatja tha se nëse BE-ja dëshiron më shumë siguri, duhet të bëjë hapin për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor brenda ombrellës së saj.
“Shumica prej nesh në Ballkanin Perëndimor ka treguar se orientimi ynë është proevropian, pro NATO dhe properëndimor. Prandaj, ky orientim duhet të jetë kryesor, të mbahet dhe lejohet që të rrjedhë deri te integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE. Siguria nuk është vetëm për armët, por gjithë aspektet që ballafaqohemi çdo ditë…Nëse BE-ja është e interesuar të kemi më shumë siguri, atëherë duhet që të bëjmë hapin që të kyçin Ballkanin Perëndimor në BE”, tha ajo.
Gërvalla tha se institucionet e Kosovës po bëjnë çmos që të afrohen në strukturat e NATO-s.
“Kosova mundohet të afrohet në strukturën e NATO-s aq sa mundemi, duke marrë parasysh faktin se katër shtete anëtare të NATO-s nuk na njohin. Kjo nuk është e lehtë, por ne duhet të luftojmë dhe jemi më afër njëri-tjetrit, pasi Kosova dhe NATO janë të ndërlidhura me njëri-tjetrin. Në mënyrë që NATO është pjesë e historisë së Kosovës dhe është prezente në Kosovë”, shtoi ajo.
Në panelin e diskutimit për Ballkanin Perëndimor ishte edhe i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai tha se Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në Bashkimin Evropian, derisa edhe shprehu përkrahjen për iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur”.
“Përkrahim të gjitha tregjet, Ballkani i Hapur përderisa është i fokusuar në integrimin evropian, do të jetë i hapur të gjitha vendet. 70 për qind e ekonomisë së Ballkanit është e lidhur me Evropën, ndërsa pjesa tjetër është po ashtu e lidhur me rajonin. DY këto procese duhet të marrin pjesë në të njëjtën kornizë. Ballkani i Hapur nuk është e vetmja iniciativë që e përkrahim, ne i përkrahim të gjitha iniciativat tjera që na bashkojnë”, tha ai./KP