
Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muajit të pandehurit Flori Beqiraj, i cili e sulmoi seksualisht Mrika Nikçin.
Flori Beqiraj, i cili ka sulmuar seksualisht Mrika Nikçin, ka pranuar kryerjen e veprës penale dhe se gjatë kryerjes së veprës ishte nën ndikim e alkoolit.
Klankosova.tv ka siguruar dokumentin në të cilin bëhet e ditur se masa e paraburgimit ndaj Flori Beqirajt do të llogaritet që nga dje e deri më 30 tetor të këtij viti.
Tutje, në këtë vendim bëhet e ditur se avokati mbrojtës i të pandehurit i ka kërkuar gjykatës që Flori Beqirajt t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.
“Gjendja e tij ka qenë nën ndikimin e alkoolit, sipas tij tregon se sjelljet që i ka pasur gjatë kryerjes nuk janë të tij, ka qenë në gjendje që edhe vetë i pandehuri nuk mund të shpjegojë duke marrë parasysh këto rrethana nuk mendoj që ka rrezik të arratisjes dhe as të kryerjes së ndonjë vepre tjetër penale. I propozoj gjykatës që të pandehurit t’i shqiptohen njëra nga masat alternative të cilat janë adekuate për të pandehurin, konkretisht propozoj masën e arrestit shtëpiak”, thuhet në vendimin e gjykatës, njofton Klankosova.tv.
Kujtojmë se dje, ishte vetë Mrika Nikçi, ajo e cila përmes një video bëri publik momementin e sulmit seksual nga Flori Beqiraj.
